Me kërkesë të Prokurorisë së Lushnjes, gjykata ka vendosur masën e sigurisë për ish-drejtuesit e Hipotekës së këtij qyteti, si edhe të një pronari biznesi, të dyshuar për “Fallsifikim dokumentash” në bashkëpunim, në vijim të një hetimi të nisur nga kallëzimi i dorëzuar nga përfaqësuesit fetarë të Manastirit të Ardenicës.
Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Lushnjes, rezulton se përfaqësuesit e Manastirit, gjatë një procesi gjyqësor civil, kanë konstatuar se një pjesë e pronës të cilën e pretendonin, më konkretisht rreth 6300 m2, ishte e regjistruar në emër të shtetasit A.Lushi, pronar i një kompleksi shërbimesh në zonën e Ardenicës.
Sapo kanë konstatuar këtë situatë, përfaqësuesit e Manastirit kanë dorëzuar një kallëzim penal në Policinë e Lushnjes, e cila ia referoi më tej Prokurorisë.
Në bazë të hetimeve, Prokuroria e Lushnjes ka arritur të evidentojë se, në vitin 2014, prona e pretenduar nga Manastiri, është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) në emër të shtetasit A.Lushi, në bazë të dokumentave të fallsifikuar.
Po ashtu, nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Lushnjes, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se kjo pronë është regjistruar në bazë të urdhërave verbalë të Kryetarit të ZVRPP në atë kohë, shtetasi B. Koçiu.
Nga të dhënat hetimore të përfituara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Lushnjes krijoi dyshime të arsyeshme se prona e pretenduar në një proces civil nga përfaqësuesit fetarë të Manastirit të Ardenicës, është regjistruar në bazë të dokumentave të fallsifikuar nga ana e ish-drejtuesit të ZVRPP, B. Koçiu, si edhe nga pronari i kompleksit privat të shërbimeve, A.Lushi. ndaj këtyre dy persona u kërkua caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata. Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lushnjes, forcat e Policisë së Shtetit arrestuan dy personat e dyshuar./a.m.