Vizion Plus i ka kushtuar një kronikë të zgjeruar deklarimit të së mërkurës së Lulzim Bashës, se opozita do të paraqitej me një draft të vetin për reformën në drejtësi.
Duke marrë deklaratën e fundit, Vizion Plus bën një retrospektivë të asaj se sa herë ka ndryshuar mendim kreu i PD.
Sipas saj, PD e votoi në parim draftin e ndërkombëtarëve dhe më pas po kërkon një draft alternativ.
PD ra dakord me “arkitekturën e sistemit” dhe tani e kërkon atë të ndryshuar.
Ajo nuk e kundërshtoi kërkesën e ambasadorit Lu për ta votuar draftin ashtu sikurse është dhe tani ka shpallur se deputetët e PD-së janë njerëz mendjehapur që nuk ngrejë dot dorën me sy mbyllur.
Deklaratat Bashës dje:
“Partia demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që u është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me partinë socialiste, me lëvizjen socialiste për integrim në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për reformën në drejtësi”.
“Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’i shërbyer qytetarëve”.
“Si një parti e debatit të hapur, jo e misterit, si një parti e mendjes së hapur, jo e syve të mbyllur nuk ngre dorën lart për diçka që nuk e ka lexuar njeri”.
Tema/D.I.