Alarmi i panumërt që paralajmëron për mosefektivitetin e antibiotikëve këtë herë vjen nga Britania e Madhe. “Apokalipsi i antibiotikëve” është titulli i një artikulli në “The Guardian” mbi studimin e fundit britanik mbi rritjen e baktereve super rezistentë. “Kirurgjia është në rrezik, do të kemi 10 milionë viktima në vit”, parashikon Dama Sally Davies, shefe e shërbimit shëndetësor anglez.
Sipas studimit, antibiotikët vrasin një numër bakteresh në trupin e njeriut. Ato që nuk vriten bëhen edhe më të forta, e tashmë nuk kanë më as “konkurrencën” e baktereve të eliminuar nga antibiotikët.
Sipas të dhënave të fundit, çdo vit në Evropë janë katër milionë infeksione të ardhura nga rezistenca kundrejt antibiotikëve.
Kohët e fundit, në SHBA, presidenti Obama dhe Kongresi kanë miratuar miliona dollarë për të parandaluar dhe monitoruar infeksionet që vijnë nga bakteret rezistente dhe po studiojnë për ilaçe të reja. Gjatë takimit të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, zhvilluar në janar në Davos, u arritën marrëveshje për nxitjen e investimeve nga ana e kompanive farmaceutike.
Shoqata Amerikane e Sëmundjeve Infektive (IDSA) ka nisur sfidën për të mposhtur urgjencën globale me formulën “Dhjetë për njëzet”, ku dhjeta përfaqëson numrin e antibiotikëve të rinj që duan të zbulojnë deri më 2020.
D.I.