Pas bërjes publike të abuzimeve me fëmijët në Shtëpinë e Fëmijëve në Shkodër, një grua që ka tre fëmijë atje flet e frikësuar.
Ajo është Natasha Bajrami, e cila ka lënë tri vajza në Shtëpinë e Fëmijës, për shkak se nuk mund t’i mbajë dot vetë në shtëpi.
“Jam shumë e frikësuar, e tronditur për ngarjen e ndodhur. Kam tri vajza këtu, më e madhja 12 vjeç, kërkoj nga shteti që vajzat të dërgohen në spital dhe të shihet gjendja e tyre. Unë kam 12 fëmijë dhe tre i kam sjellë këtu sepse jetoj në gjendje të mjerueshme ekonomike. Më përpara më thonin vajzat që fëmijët e tjerë të qendrës i kanë rrahur dhe unë i tregoja ish-drejtoreshës, por ajo më thoshte që nuk është e vërtetë”, rrëfen Natasha.
Prokuroria e Shkodrës pak ditë më parë ka marrë sinjalizim nga institucioni i Avokati i Popullit, në bazë të të cilit kishte të dhëna se mbi fëmijët që jetonin në këtë Qendër kishte abuzime nga personeli.
Nga hetimi i deritanishëm është zbuluar edhe një fakt tejet i rëndë. Në bazë të aktit të ekspertimit përkatës, rezulton se tre fëmijë të mitur femra janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale.
Panorama/d.i.