Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është shprehur shumë i zhgënjyer pas ndeshjes me Skënderbeun në Vlorë, teksa humbja me korçarët është shoqëruar me shkarkimim e stafit teknik, ndërsa ai shprehet që edhe lojtarët aktualë nuk kanë më vend tek ekipi i tij.
“Jam i zhgënjyer pasi lojtarët dhe stafi teknik u tallën me një qytet të tërë. Pas asaj që pamë dje në fushë, turp më të madh nuk ka, ndaj vendosëm të shkrinim ekipin. Nuk ka më vend te Flamurtari për asnjë, duke nisur nga trajneri e deri te lojtari i fundit.
Nuk e kam kërkuar fitoren domosdo, por një ekip që nuk ekziston në fushë, për mua nuk ka vlerë”, ka deklaruar mës shumë të tjerash Idrizi, shkruan Sportal.
I pyetur nëse ka dyshime për tolerim, Idrizi deklaroi:
“Nuk i futem kësaj çështjeje pasi në Shqipëri gjiçka paragjykohet. Prej ndeshjes me Skënderbeut i thamë udhë e mbarë lojtarëve. Ata nuk janë të denjë për Flamurtarin bashkë me stafin. Për mua nuk u respektua kampionati në këtë ndeshje”.
Në fund administrator i vlonjatëve thekson se do kishte dashur thjesht që skuadra e tij të tregonte dinjitet në fushë:
“Më bën çudi se si ky ekip luan denjësisht ndaj Kukësit e Tiranës dhe nuk impenjohet ndaj Skënderbeut! Ua kisha falur të gjitha, por ndaj Skënderbeut duhet të tregonin dinjitet”.
Sportal/d.i.