Me një përmbysje të paharueshme, Sevilla bëhet përfundimisht pjesë e historisë së futbollit duke fituar për herë të tretë radhazi trofeun e Europa Leagues, si asnjë ekip tjetër në të kaluarën. Skuadra e Unay Emery mposhti 3-1 Liverpool në finalen e luajtur në Bazel të Zvicrës, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll 1-0 për anglezët. Spanjollët do të marrin pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm, ndërsa të dielën do të luajnë ndaj Barcelonës në Kupën e Mbretit.
Dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë, Daniel Sturridge kaloi në avantazh skuadrën e Jurgen Klopp, pavarësisht se Sevilla kishte luajtur më mirë deri në ato minuta. “Të kuqtë” e mbyllën pjesën e parë në avantazh, duke krijuar iluzionin e fitores, por 17 sekonda pas fillimit të pjesës së dytë, Sevilla barazoi kur pas një aksioni personal, Mariano i dha mundësinë Kevin Gameiros të shënonte me portën e boshatisur.
Goli i barazimit rriti entuziazmin te Sevilla, e cila shënoi edhe dy herë të tjera me anë të kapitenit Coke, në golat e tij të parë në këtë sezon të Europa League. Coke shënoi golin e dytë me një goditje të bukur nga jashtë zone dhe më pas, 20 minuta para fundit, realizoi golin e tretë duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes së Liverpool. Sevilla futet në histori, ndërsa Liverpool i Klopp humbi një tjetër finale pas asaj ndaj City në Kupën e Ligës së Anglisë, në fund të shkurtit.
(telesprot)