Gjykata e Viçencës dha dënimet për anëtarët e bandës së njohur me emrin “Shqiponjat e zeza”, që pati shkaktuar panik në veri-lindje të Italisë me sulme të armatosura në diskoteka e lokale në vitin 2012.
Shtatë anëtarët e organizatës kriminale, gjashtë prej të cilëve shqiptarë, u dënuan me gjithsej 62 vjet e 5 muaj burgim. Kjo bandë famëkeqe kryesohej nga Emanuel Demaj, i cili u dënua me 16 vjet e 4 muaj heqje lirie. Ai u bë i njohur për opinionin publik jo vetëm për aktet e dhunshme, por edhe kohët e fundit për një episod që bëri bujë.
Fotografitë e festës së organizuar në burg për ditëlindjen e tij dolën në rrjetet sociale, gjë që çoi në zbulimin e disa telefonave celularë në burgun e Viçencës ku ai mbahej i mbyllur. Skandali, që çoi në dërgimin e inspektorëve dhe transferimin e të dënuarit në një burg tjetër, nxorri dhe një herë në plan të parë mangësitë e sistemit të mbikqyrjes në burgjet italiane.
Bëhet e ditur se është kërkuar prej kohësh aktivizimi i një dispozitivi për bllokimin e valëve në burg, gjë që nuk është zbatuar sepse do të bllokonte përdorimin e internetit në të gjithë strukturën. TCH
ma.me