Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur sot ngritjen e një komisioni special për të zgjidhur çështjen e pjesëmarrjes së Kosovës dhe Gjibraltarit në kualifikueset e Botërorit Rusi 2018.
Lajmi është bërë i ditur nga vet zv.presidenti i UEFA-s, Grigoriy Surkis, teksa ka folur gjatë ditës së sotme për agjencinë ruse TASS. Komiteti Ekzekutiv do të zhvillojë këtë të mërkurë një sesion në qytetin veriperëndimor të Zvicrës, Bazel.
“Vendimi në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme të Kosovës dhe Gjibraltarit në ndeshjet kualifikuese për Botërorin e 2018-s nuk është marrë ende”, tha Surkis. “Ne thjesht kemi ngritur një komision special për ta shqyrtuar këtë çështje”.
Federatat e Futbollit të Kosovës dhe Gjibraltarit fituan të drejtën e anëtarësimit me të drejta të plota në FIFA javën e kaluar, gjatë Kongresit të zhvilluar në Meksiko Siti të Meksikës.
E duke ditur që vendimi ende nuk është marrë, le të shqyrtojmë të gjitha mundësitë se ku mund të përfshihet Kosova në kualifikueset e Botërorit të ardhshëm.
Kosova pritet të vendoset në njërin prej grupeve H ose I të kualifikueseve të zonës së Europës, pasi këto të dyja javë të vetmet me nga 5 ekipe pjesëmarrëse, ndërkohë që të gjithë të tjerët kanë nga 6 të tillë.
Por, duke qenë se vendet pjesëmarrëse në grupin H, pikërisht Bosnje-Hercegovina, Greqia dhe Qiproja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet sovran, pritet me të gjitha gjasat që Kombëtarja kosovare e futbollit të futet në grupin I, aty ku gjendet edhe Kroacia, ndërkohë që Gjibraltari pritet të vendoset në grupin H. Gjithsesi, për këtë pritet vendimi përfundimtar i UEFA-s, pasi edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pas anëtarësimit të FFK-së në organizmin më të lartë botëror të futbollit, deklaroi se i mbetet UEFA-s për të shqyrtuar dhe përcaktuar detajet mbi përfshirjen e Kosovës në kualifikueset e ardhshme të botërorit.
TCH/d.i.