Senati amerikan aprovoi ligjin, që u lejon familjeve të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të padisin qeverinë saudite.
Arabia Saudite mohon që të jetë përfshirë në sulmet e vitit 2001 ndaj Qendrës Botërore Tregtare dhe Pentagonit, e më herët kishte kërcënuar se do të hiqte miliarda dollarë nga SHBA-të, nëse ligji miratohej.
Mediet amerikane shkruajnë se, ligji është nxitur nga raporte të papublikuara, që sjellin prova se zyrtarë të qeverisë saudite dhe qytetarë sauditë, që jetonin në SHBA, ishin përfshirë në komplotin terrorist.
Por, një komision hetimor amerikan, kohë më parë nuk zbuloi prova që qeveria saudite, si institucion, apo zyrtarë individualë sauditë financuan “al-Qaeda”-n apo agresorë të 11 shtatorit.
Ligji i drejtësisë kundër sponsorëve të terrorizmit duhet ende të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve. Por që tani, dihet se ai do të kundërshtohet nga administrata “Obama” dhe presidenti ka premtuar se do të vendosë veton kundër tij.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ligji ndryshon ligjet ndërkombëtare të imunitetit sovran dhe do t’i bëjë SHBA-të më të cënueshme nga gjykatat e tjera në botë. Por, senatorët republikanë që hartuan dhe më pas miratuan ligjin, i kanë hedhur poshtë këto shqetësime, duke thënë se ai përfshin vetëm sulmet në territorin amerikan dhe nuk mundëson padi ndaj SHBA-ve. (tch /. r.a)