Dy persona, njëri prej të cilëve djali i ish-kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu, janë arrestuar në Stokholm në kuadër të një operacioni antidrogë të policisë suedeze.
Agjentë të forcave speciale kanë bastisur shtëpinë e një shtetasi nga Siria, ku ndodhej Skënder Shehu dhe ku është gjetur një sasi e konsiderueshme marijuane.
Operacioni i koduar me emrin “Fenix” është kryer rreth një muaj më parë në lokalitetin Solna, nga një skuadër speciale e ardhur enkas nga qyteti i Vesteros.
Gjatë marrjes në pyetje, Shehu ka mohuar çdo lidhje me lëndën narkotike duke thënë se ndodhej rastësisht në atë banesë, por deklaratat e tij duket se nuk i kanë bindur prokurorët e Stokholmit, raporton Tch.
Skënder Shehu, djali i kryeministrit të Shqipërisë në kohën e diktaturës komuniste, banonte prej shumë vitesh në periferi të kryeqytetit suedez me familjen e tij.
Ai punonte si mësues në lokalitetin Kallskolan dhe gjithashtu ishte një figurë e dashur për komunitetin shqiptar atje. a.k