Policia e Dibrës ka njoftuar se ka parandaluar përshkallzimin e një konfikti të hershëm për motive të dobëta. Në orët e para të mëngjesit të sotëm u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Shkëlqim Murrja, 50 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lishan i Epërm, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin djalin e tij 16-vjeçar.
Arrestimi në flagrancë dhe procedimi penal filloi për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim. Babë e bir kanë goditur me sende të forta shtetasin Rr.S., 22 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Mes këtyre dy familjeve, Murrja dhe Skuka, vazhdon një konflikt i hershëm për të cilin shtetasi Shkëlqim Murrja më datën 10.01.2016 është arrestuar nga Policia e Dibrës si i dyshuar për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes së shtetases A.S. e cila është dhe motra e shtetasit Rr. S. A.S deklaronte se ishte ngacmuar seksualisht nga anëtari i familjes Murrja.
Shtetasi Shkëlqim Murrja po hetohet në lidhje me këtë vepër penale dhe ndaj tij ka një masë sigurimi personal, ajo e detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. (javanews.al / r.a)