Autoritet greke kanë sjellur në Shqipëri urdhër arrestin për Klement Balilin, i njohur ndryshe dhe si Escobari i drogës së Ballkanit.
Urdhëri i arrestit ka mbërritur në Interpol Tirana.
Lajmi konfirmohet nga burime të news24 në policinë së Shtetit. Urdhër-arresti iu përcoll Prokurorisë së Përgjithshme.
“Escobari i Ballkanit” është sërish në fokusin e mediave greke. Newsit.gr, ka publikuar të tjera fakte në lidhje me implikimin e Kelmend Balilit, si ‘truri’ i trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi, e në disa vende të Europës. Bazuar në këto burime, Balili kishte krijuar kompani transporti fantazmë në gjithë Europën, ku kishte vendosur njerëz të tij dhe përmes tyre kryente transport hashashi nga Shqipëria, Maroku dhe kokaine nga Kolumbia për në shtetet e Europës.
Mësohet se i pari që ka folur dhe zbuluar emrin e ‘baronit të drogës’ ka qenë shoferi i një kamioni që u kap në 2014 në Patra me drogë, e cila kishte si destinacion Londrën. Sipas një polici grek, i cili ka folur për Newsit.gr, në Europë kishin informacion për grupin dhe për emrat etj, por nuk dispononin prova. “Në Evropë të gjithë e dinin për disa prej tyre(anëtarët e bandës) dhe aktivitetet që ata kryenin, por nuk kishin prova për t’i arrestuar. Këto informacione iu dhanë nga policia greke, pas hetimeve që bëri për çmontimin e rrjetit të drogës”.
Ndërkohë, në fundjavë, përfaqësues të grupit të hetimit do të shkojnë në Hagë për tu prezantuar rezultatet e hetimit homologëve europiane. Ndërkohë, Kelmend Balili mbetet person i shpallur në kërkim, pasi disa ditë më parë gjatë kontrollit që policia ushtroi në banesën e tij në Sarandë, nuk u bë e mundur ndalimi i tij. Sakaq, dje autoritetet greke lëshuan urdhër-arrest ndërkombëtar për Balilin, i cili pritet të gjykohet në Shqipëri dhe nuk do të ekstradohet.
EUROPOLI
Prej më shumë se 1 viti, policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kanë kryer hetime për organizatën ndërkombëtare të drogës të drejtuar nga ‘Escobari shqiptar’, për të cilin shtypi grek dhe opozita shqiptare thotë se është Kelmend Balili nga Saranda.
Sipas Europol, në hetime nuk ishte përfshirë policia shqiptare, ndërsa hetuesit grekë kishin filluar të shkëmbenin informacione me kolegët në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Britani, për shkak se në këto vende banda e ‘Baronit të Ballkanit’ trafikonte sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine. Nuk dihet nëse hetuesit grekë kanë ankesa ndaj policisë shqiptare që nuk veproi për arrestimin e Klemend Balilit, por kjo gjë mbetet për t’u parë ditët në vijim.