Giampiero Ventura pritet të jetë trajneri i Italisë për dy vitet e ardhshëm, me Marcello Lippin si koordinator të skuadrës kombëtare. Mungon firma mbi kontratë, por në parim është arritur marrëveshja midis trajnerit dhe presidentit të federatës italiane, Tavecchio, si dhe miratimi i presidentit të Torinos, për t’i hapur rrugë federatës të diskutojë me Venturën.
Gara për pasuesin e Antonio Contes ende nuk ka përfunduar zyrtarisht, por nga Italia e japin pothuajse të sigurt se do të jetë pikërisht 68-vjeçari që do të ulet në stolin e kaltër për ta drejtuar skuadrën në kualifikueset e botërorit Rusi 2018.
Ventura do të ketë detyrën e vështirë të kualifikimit në një grup ku si favorite shihet Spanja, ndërkohë që vetëm një kualifikohet direkt në finale. Bashkë me të, në grup është edhe Shqipëria e Gianni De Biasit, një nga kandidatët potencialë për kombëtaren e kaltër.
D.I.