Presidenti i SHBA-së, Barack Obama kritikoi sot ashpër kandidatin presidencial republikan, Donald Trump për deklaratat e tij kundër myslimanëve, gjatë një ceremonie diplomimi në Universitetin Rutgers, New Jersey.
”Të ofendosh myslimanët ose t’i izolosh ata… nuk është vetëm një tradhti ndaj vlerave tona. Kjo gjë largon dhe bën të huaj bashkëpunëtorët tanë brenda dhe jashtë vendit, të cilët na ndihmojnë në luftën kundër radikalizmit”, deklaroi Obama.
Pa e përmendur emrin e Trumpit, presidenti amerikan theksoi se ”gjërat nuk mund të ndryshohen duke ngritur mure. Kjo gjë nuk do ta gjallërojë ekonominë dhe nuk do ta rrisë sigurinë tonë”.
”Ideja e izolimit në një botë me shtete shumë të lidhura me njëra-tjetrën, nuk është një mendim i mirë. Si në politikë, ashtu edhe në jetën reale, injoranca nuk është virtyt. Për të ndihmuar veten tonë, duhet të ndihmojmë edhe të tjerët. Por, këtë gjë nuk mund ta bëjmë duke prishur urat dhe duke lënë botën jashtë”, shtoi presidenti amerikan.
BW/d.i.