Kandidatja demokrate në garën për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, ka njoftuar se nëse do të zgjidhet presidente, bashkëshorti i saj Bill, do të ketë “një detyrë për të rigjallëruar ekonominë”.
“Ai di si të punojë për një gjë të tillë, sidomos në disa zona të SHBA-së që janë përjashtuar nga rritja”, – ka thënë ish-“First Lady” gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet paraprake në Kentaki, duke aluduar për rezultatet ekonomike të arritura nën presidencën e të shoqit.
“Kur qytetarët ndihen të braktisur nga qeveria, zhvillohen interesa për përgjigje të lehta dhe për atë lloj demagogjie që kanë parë në këtë fushatë elektorale”, – ka shtuar Clinton, transmeton Shqip.
Një referim i qartë për kundërshtarin republikan Donald Trump, që pikërisht disa ditë më parë kishte akuzuar Bill Clinton-in se ishte “autori më i keq i abuzimit ndaj grave në historinë e politikës” dhe se Hillary e kishte lejuar: “Nuk kam asgjë për të thënë”, – iu përgjigj kandidatja demokrate gazetarëve./a.m.