USAID ka prezantuar këtë të hënë projektin prej 9 milionë dollarësh për sektorin në drejtësi, në një ceremoni të titulluar “Drejtësi për të gjithë”, ku ka folur edhe ndihmësadministratori i USAID-it për Europën dhe Euroazinë, Thomas O. Melia.
Në fjalën e tij, Melia ka theksuar angazhimin e plotë të qeverisë së SHBA-ve për përmirësimin e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, si dhe kthimin e besimit të qytetarëve te Gjyqësori.
Në ceremoni ka folur edhe kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, ndërkohë që mes pjesëmarrësve kanë qenë edhe përfaqësues të lartë të sektorit të drejtësisë, përfshi krerët e gjykatave të Apelit, atyre të Rretheve, si dhe të gjykatave Administrative.
Projekti i konsideron të gjithë këta si aktorë të rëndësishëm në procesin e Reformës në Drejtësi, por edhe si mbikëqyrës të zbatimit të reformave.
Melia u bëri thirrje të gjithë të interesuarve të bëjnë hapa përpara me miratimin e Reformës në Drejtësi, duke i quajtur ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore të propozuara si “jetike, jo vetëm për një sistem të drejtë gjyqësor, por edhe për një demokraci funksionale”.
“Tani është momenti i duhur për ta bërë këtë. Vonesat e mëtejshme dëmtojnë integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit”, tha Thomas Melia, i cili konsideron si palë të rëndësishme shoqërinë civile dhe median, në mënyrë që çdo reformë e ndërmarrë të fitojë legjitimitetin dhe qëndrueshmëri para publikut.
TCH/d.i.