Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, e ka cilësuar një skandal dhe krim të rëndë shtetëror, pajisjen e përgjimit, për të cilën është folur gjerësisht dy ditët e fundit. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Noka tha se sipas ligjit për përgjimet, ky atribut i takon Prokurorisë së Përgjithshme, dhe jo ndonjë institucioni tjetër.
Sipas deputetit demokrat, me këtë pajisje përgjimesh, cënohet rëndë siguria kombëtaren si dhe cënohen të drejtat e liritë e qytetarëve. Përballë tij, gazetari investigativ Artan Hoxha dha detaje të tjera për përdorimin e kësaj pajisje, që sipas tij nuk përgjon biseda audio apo mesazhet tekst por identifikon numrat dhe aparatet e përdorura.
Flamur Noka: Nisur nga informacionet mediatike apo jo mediatike, u shqetësuam, dhe e përcollëm këtë në komision. Kërkuam seancë dëgjimore me ministrin, kreun e SHISH dhe kryeprokurorin. U pranua se ekziston një pajisje e tillë, por sipas ministrit Tahiri, përdoret për çështje trajnimesh. Është një rast i paprecedentë që të futet kështu në vend një pajisje e tillë e paligjshme. Nuk ka bërë vaki në gjithë vitet e pluralizmit kjo gjë. Në përpëlitje për të shpëtuar nga kjo histori, thonë se është pajisje për trajnim. Unë kam qenë ministër i Brendshëm, por edhe kushdo që e njeh ligjin për përgjimet, thotë se atributi i përgjimeve i takon Prokurorisë së Përgjithshme. Mund të iniciojnë institucionet e ndryshme, por duhet miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Por edhe ky i fundit duhet të marrë konfirmimin e gjykatës për hetime në kohë të gjatë. Çfarë trajnimi u bëka me një pajisje që nuk përdoret për përgjim. Ky është skandal, është një krim i rëndë shtetëror, një krim i paprecedentë. Në rast se deri sot kemi ecur mbi bazën e aludimeve, por sot flasim ndryshe, kur e pranon ministri, pasi cënohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo pajisje e instalua në një institucion të paligjshme sa i takon përgjimit, përbën krim. Të gjithë ata që kanë konsumuar këtë vepër penale, këtë krim, do të përgjigjen para ligjit.
Në SHBA ka ndodhur një skandal i ngjashëm me këtë që po flasim ne, dhe ka dhënë dorëheqjen një president, pasi cënohet rëndë siguria kombëtare.
Kjo pajisje është e paligjshme, është prodhuar në Itali, kanë tentuar ta fusin në procesin ligjor, dhe nuk është lejuar. Mund të na thotë ky ministër si ka hyrë kjo pajisje, është dhuruar, është regjistruar në doganë?
Duhet të ketë një dokument për secilin rast, dhe duhet një regjistrim në regjimin e përkohshëm. Në momenti që e merr për pak kohë, futet në regjimin e përkohshëm doganor. Nëse e merr një pajisje jashtë çdo procedure ligjore, ti je bandë. Është momenti për të vënë alarmin, siguria kombëtare në këtë vend, nuk ka qenë kurrë në rrezikun që është sot.
Unë do konkludoj kur të shoh një dokument të Interforzës. Jam i prirur të besoj se nuk mund t’i shkojë mendja asnjë zyrtari të saj për përgjojë në Shqipëri.
Artan Hoxha: Bashkohem me shqetësimin që ka zoti Noka. Nëse pajisje të tilla përdoren në rrugë jolegale përbëjnë një shqetësim të madh. Në raste në botë kur janë përdorur kanë qenë çështje të një rëndësie të madhe.
Jam përpjekur të kontaktoj me drejtues të Policisë së Shtetit nuk kam mundur. Doja të kisha një qëndrim të tyre se si e shikojnë prezencën e një dyshimi të tillë.
Në dijeninë time, emri i kësaj pajisje IMCI Catcher. Është një pajisje që e kanë kërkuar shërbimet sekrete izraelite, Mosadi për ta përdorur kundër terrorizmit.
Hezbollahu përdorte numra satelitorë. Kjo pajisje ka dhënë rezultat në Izrael. Më pas kjo pajisje është përdorur nga skuadra speciale ROSS kundër terrorizmit dhe mafies. Menjëherë zbardhet telefonata dhe mesazhi në tekst.
Flamur Noka: Dakord është përdorur dhe këtu mund të përdoret sipas rrugëve të ligjshme. Por gjithçka ka qenë e paligjshme.
Artan Hoxha: Kjo pajisje është shumë e manovrueshme, e instalueshme, mund ta vësh në pajisjet e transportit rrugor dhe ajror.
Kjo pajisje nuk përgjon biseda audio, nuk përgjohet biseda ime me dike tjetër, apo mesazhet. Operatori që përdor pajisjen më shikon mua në pamje vizive që po përdor celularin por jo atë të regjistruar.
Pajisja identifikon antenën që po përdor unë, numrin e celularit, imein e aparatit dhe numrin e serisë dhe kartës dhe pastaj i kërkohet prokurorisë të përgjohet ky numër. Kjo pajisje është pajise operative që përdoret për këto raste.
Di që kemi një marrëveshje të vitit 2007 me ministrinë e brendshme italiane në lidhje me asistencën teknike që marrim nga Italia. Kam informacione që në ngjarje të rëndësishme kemi përdorur me sukses teknologjinë e sjellë nga Italia.
Si qytetar kam interes të marr vesh se çfarë është kjo pajisje? Nëse e ka sjellë misioni Interforze, përse? Di që autoritetet italiane kanë sjellë forcat e tyre për të monitoruar situatën e trafikut të drogës./a.m.