Përgjuesi i Policisë së Shtetit ka qenë temë diskutimi edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa ministri Saimir Tahiri ka pranuar ekzistencën e pajisjes për trajnim.
Tahiri ka sqaruar se pajisja është në duart e partenrëve ndërkombëtarë dhe e certifikuar prej tyre, por nuk ka lidhje me përgjimin e deputetëve dhe figurave të larta të politikës.
Ndërkohë, ka qenë deputeti Piro Lutaj ai që ka zbardhur edhe mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë.
Lutaj kërkoi nga opozita që ta riformulojë kërkesën për paraqitjen në Komision të Tahirit, Ajazit, Llallës dhe Çakos. Sipas tij, njoftimi nuk mund të bëhet sot për nesër.
“I kërkuam kolegëve të opozitës që drejtuesit e sigurisë të paraqiten në Komision brenda rregullave. Të formatojnë kërkesën dhe të komunikojnë me drejtuesit e lartë” – tha Lutaj pas mbledhjes. (javanews.al / r.a)