Ministri i Financave Arben Ahmetaj zhvilloi të hënën një takim me homologun kosovar, Avdullah Hoti. Takimi mes dy ministrave vjen pas takimit të zhvilluar në Tiranë për lehtësimin e procedurave me qëllim nxitjen e tregtisë.
Takimi u zhvillua edhe në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në fillim të muajit qershor.
“Kam urdhëruar të punohet 24 orë në doganë, në mënyrë që të ketë lehtësi për eksportuesit”, tha Ahmetaj, ndërsa Hoti u shpreh se “urdhri ka pasur ndikim të rëndësishëm për bizneset, që janë të kënaqur për thjeshtimin e procedurave doganore”.
Ahmetaj theksoi se duhet punuar edhe “për marrëveshjet që do të nënshkruhen në mbledhjen e qeverive, për harmonizimin e sistemit të riskut dhe qendrën e përbashkët të trajnimeve”.
Në takim, ministri Ahmetaj ngriti edhe shqetësimin e sipërmarrjes shqiptare për terminalin doganor në Kosovë, lidhur me çështjen e tarifës prej 40 eurosh. (javanews.al / r.a)