Dëmtimi i shtyllave të ndriçimit publik, vjedhja e telave dhe e llambave është një problem i mbartur në vite në qytetin e Durrësit.Ky problem evidentohet edhe më shumë në sezonin veror, kur qytetarët kalojnë orë të tëra jashtë mbrëmjeve, duke shëtitur, apo qëndruar në sheshe e lulishte.
Pre e hajdutëve ka rënë shëtitorja bregdetare Taulantia, e cila është e pandriçuar nga ana e detit, sepse teli elektrik është vjedhur disa herë dhe shtyllat e ndriçimit janë tërësisht të dëmtuar. Kjo shëtitore, e vetmja ku qytetarët e turistët e shumtë që na vizitojnë në këtë sezon, bëjnë shëtitje e qëndrojnë disa orë gjatë mbrëmjeve, ka 2 vjet që është në terr, por bashkia nuk ka marrë asnjë masë në drejtim të saj.
Inspektorja e ndriçimit publik në Bashkinë e Durrësit Mirela Stefani deklaroi se problematike është situata e shkaktuar nga hajdutët e telit elektrik në disa lagje të Durrësit. Denoncime të njëpasnjëshme janë bërë në polici për këto vjedhje që i bëhen pronës publike.
Shqetësimi është ngritur gjerësisht ditët e fundit në Shëtitoren bregdetare Taulantia, që nis nga Torra Veneciane e përfundon në Currila, raporton DurresiLajm.
Kjo shëtitore mbetet më e frekuntuara nga të gjithë qytetarët durrsakë, që zgjedhin të bëjnë një xhiro në këmbë përgjatë bregut të detit.
Qytetarët durrsakë që kanë nisur të frekuentojnë shëtitoren masivisht shprehen se në mungesë të energjisë i druhen faktit se mund të bien “pre” e hajdutëve apo keqbërësve të ndryshëm që mund të shfrytëzojnë rastin në errësirën e mbrëmjes. (b.an)