Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përmes një deklarate për shtyp ka reaguar për ndryshimet kushtetuese që prekin Kodin e Familjes, ndryshime këto që synojnë lejimin e martesave midis dy personave të gjinisë së njëjtë.
Sipas Komunitetit Mysliman ky shqetësim dhe thirrja e tyre, si për besimtarët dhe qytetarët synon ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona besimore, tradicionale dhe kombëtare.
“Shoqëria jonë nuk është një shoqëri diskriminuese, por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferentë ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë, kundër kënaqësisë së Zotit”, thuhet në reagim.
Sipas KMSH-së, familja është e shenjtë, prej së cilës varet vazhdimësia e jetës mbi tokë.
“Familje ose fole familjare është vetëm ajo e ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit.
Prandaj, martesat e të njëjtës gjini nuk i shohim si pjesë të traditës sonë të përbashkët dhe të të gjithë elementëve që përbëjnë këtë komb”, thuhet në reagim. (b.an)