Familjarët e 20-vjeçares nga Peshkopia, e cila denoncoi ish-kryebashkiakun Shukri Xhelili përmes videoskandalit të publikuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Ora News, akuzojnë organet e rendit se nuk po u garantojnë mbrojtje.
Në një intervistë telefonike në Ora News, vëllai i 20- vjeçares ka deklaruar familja e tij ndihet e kërcënuar, ndërsa forcat e rendit qëndrojnë deri në orën 12:00 të të natës dhe më pas largohen, ndërkohë që frika e ndonjë hakmarrje të mundshme është gjatë natës.
“Familja ime ndihet e kërcënuar. Policia rri deri në mesnatë dhe pastaj largohet. Kemi nevojë për mbrojtje gjatë natës. Motra ime në depresion, ka nevojë për psikolog” ka thënë i vëllai në një prononcim telefonik për Ora News.
Gjithashtu ai ka pohuar se motra e tij është në prag të një depresioni dhe ka nevojë për psikolog, ndërkohë që deri tani nuk i është afruar një shërbim i tillë.
Vetë 20-vjeçarja në një intervistë televizive ka deklaruar se dëshironte të largohej nga Shqipëria dhe se nuk ishte penduar për atë që kishte kryer.
“Arsyeja pse e bëra këtë është se ndihesha vazhdimisht nën presionin e fjalëve të tij dhe për çfarë kërkonte ndaj meje. Kjo ka qenë e vetmja arsye dhe nuk ka qenë as çështje politike dhe as çështje parash” ka deklaruar vajza. a.k