Rusia e ka quajtur provokim të rëndë këngën e ukrainases Jamala, 1944, dhe triumfin e saj në Eurovision.
Ukraina zuri vendin e parë me një këngë që fliste për paqen e dashurinë, por me ngarkesë të lartë politike.
Kënga e Jamalës evokonte dëbimin e tatarëve të Krimesë nga Josif Stalin më 1944, çka është interpretuar edhe si një kritikë për aneksimin e gadishullit nga Rusia më 2014.
Këngëtarja, emri i së cilës është Susana Jamaladinova, është vetë tatare e Krimesë dhe nuk ka qenë në shtëpi që nga aneksimi më 2014. Prindërit dhe fisi i saj ende jetojnë atje.
“Nëse fitoj, kjo do të thotë se evropianët nuk janë indiferentë dhe se janë gati të dëgjojnë për dhimbjen e të tjerëve”, tha Jamala në një prononcim për The Guardian pak para fillimit të festivalit.
Duke iu rfeferuar tekstit të këngës së saj, Jamala tha: “Sigurisht që është edhe për 2014-ën. Këta dy vjet më kanë sjellë shumë trishtim në jetën time. Imagjinojeni, ti je krijuese, këngëtare, por nuk mund të shkosh në shtëpi për dy vjet. Me gjyshin, i cili është 90 vjeç dhe i sëmurë, flet në Skype, por nuk mund ta vizitosh. Çfarë duhet të bëj, të këndoj këngë të bukura dhe ta harroj? Sigurisht që s’mund ta bëj”.
The Guardian/D.I.