Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj asaj që e ka cilësuar si përpjekje e Daut Haradinajt, “që duke etiketuar kryetarin LDK-së, njëherësh kryeministrin e Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafën, të bëhet protagonist dhe të faktorizohet në këto ditë të turbullta për opozitën”.
“Sa i përket asaj që zoti Haradinaj ka thënë, i bëjmë me dije se LDK-ja nuk i jep llogari atij pse dhe kur lideri i saj e viziton Deçanin, pasi që Deçani nuk është ‘pashallëk’ i tij.
Ndërkaq, për hir të informimit i bëjmë me dije opinionit se në Deçan kryeministri Mustafa ka qenë për të përkujtuar 26 vjetorin e themelimit të LDK-së dhe aty është pritur nga qindra deçanas të mrekullueshëm, të cilët kanë ardhur në këtë manifestim me vullnetin e tyre të lirë, pa kurrfarë presioni apo kuponi”, thuhet në njoftimin e LDK’së.
Sa i përket frikës nga protestat, LDK’ja dhe kryeministri Mustafa e kanë dëshmuar se nuk i frikësohen as “protestave të molotovëve”, e as presioneve dhe kërcënimeve të tjera me të cilat janë përballur që nga themelimi, thuhet në reagim. (b.an)