Gjatë vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersin, më të cilin diskutoi mbi ecurinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë.
Kryetari i Kuvendit, Meta vuri në dukje se pas miratimit të reformës në drejtësi, është e domosdoshme që SHBA të intensifikojnë asistencën e tyre për një fazë të suksesshme zbatimi të reformës. Meta theksoi se në këtë kontekst, bashkëpunimi i ngushtë mes agjencive të specializuara të zbatimit të ligjit merr një rëndësi të veçantë.
“Ndaj, – u shpreh Meta, – duke marrë në konsideratë edhe efektet e krizës së fundit migratore në Evropë si dhe eksperiencën e gjerë amerikane në fushën e sigurisë, Shqipëria dhe SHBA duhet ta rrisin bashkëpunimin e tyre për një kontroll më rigoroz të kufijve dhe në funksion të përforcimit të infrastrukturës strategjike në porte e aeroporte”.
Pas takimit, Ndihmës Sekretari për Çështjet e Jashtme dhe Shefi Diplomatik në Departamentin e Sigurisë Kombëtare Alan Bersin u shpreh: “Në fakt ndihem i nderuar dhe i kënaqur që takohem me Kryetarin e Kuvendit, Meta. Ne diskutuam për çështjet e sigurisë së brendshme dhe sigurisë së shteteve.
E filluam diskutimin duke folur për mënyrat se si ne mund të bashkëpunojmë për të garantuar sigurinë kufitare, sigurinë detare, ajrore se si mund të përfitojnë të dyja vendet nga ky bashkëpunim. Meta është nder për mua qe u takuam së bashku dhe do të vazhdojmë me shumë kënaqësi në të ardhmen bashkëpunimin midis Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe institucioneve Kombëtare të Sigurisë së Shqipërisë”.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi takime edhe në Departamentin e Shtetit me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Hoyt Brian Yee si dhe me zyrtarë të lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me të cilët bisedoi mbi situatën e sigurisë në rajon dhe mbi ecurinë e reformave vend, duke u ndalur gjerësisht në miratimin e paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të SHBA ndaj konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe vuri theksin në rëndësinë e një asistence edhe më intensive amerikane në fazën e implementimit të reformimit të sistemit të drejtësisë./a.m.