Pasi Prokuroria nisi hetimet për pajisjen sekrete të sofistikuar për përgjime që ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një pajisje e tillë.
Dy Oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë shkuan në zyrat e policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj aparature të sofistikuar. Dy oficerët u takuan me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, duke e njohur me urdhrin për sekuestrimin e pajisjes përgjuese, shkruan gazeta ‘Mapo’.
Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako pranoi se ekziston një pajisje e tillë, por nuk është nën administrimin e Policisë Shqiptare, por nga kolegët italianë të Interfoza. Pajisja shërben për trajnimin e policisë shqiptare, u shpreh kryepolici Çako.
Dy Oficerët e Policisë Gjyqësore mbajtën në procesbverbal ato çka tha Drejtori i Përgjithshëm dhe më pas u larguan. Tashmë Prokuroria pritet të dërgojë shkresë zyrtare tek italianët e Interfoza për të mësuar më shumë rreth kësaj pajisje.
Hetimi nisi pas alarmit të ngritur nga SHISH se në zyrat e Drejtorisë së Policisë ndodhej një pajisje tepër e sofistikuar përgjimi, që ishte e paautorizuar dhe përdorej nga policia e dyshohet se janë kryer përgjime ilegale.
Kjo shqetësoi Prokurorinë dhe për këtë arsye organi i akuzës regjistroi hetimin ‘shpërdorim detyre’ pa autor. Dy ditë më parë, edhe Presidenti Bujar Nishani tha se autoritetet duhet të hetojnë këtë rast për të vërtetuar nëse është i vërtetë sipas pretendimeve të SHISH/a.m.