Një peticion jo i zakonshëm ka bërë bujë në Mbretërinë e Bashkuar. Nisma e një gruaje, së cilës iu shkurtua dita e punës duke e kthyer mbrapsht në shtëpi pasi nuk kishte veshur taka, ka marrë më shumë se 110 mijë firma mbështetëse vetëm në 48 orët e fundit.
E punësuar si recepsioniste pranë një kompanie në Londër, përpos kritereve të tjera ajo duhet të plotësonte edhe normën e të qëndruarit mbi taka të larta çdo ditë. Pasi refuzoi blerjen e këtyre këpucëve nga supervizorja e saj, Nikola Torp u kthye mbrapsht duke i prerë edhe pagën e ditës.
“Kodi i veshjes për gratë në punë duhet të ndryshojë, në mënyrë që ato të kenë mundësi të veshin këpucë të sheshta apo çfarëdo të kenë dëshirë, sigurisht brenda normave. Kodi aktual i veshjes në punë është demode dhe seksist”, tha Nicole Thorp.
Reagimi publik për këtë çështje ishte jashtë çdo pritshmërie.
“Kjo tregon se është një çështje e rëndësishme dhe se ky është një hap në drejtimin e duhur. Peticioni ka hapur diskutimin sesi gratë ndihen në vendin e punës mbi mënyrën e veshjes”, tha Nicole Thorp.
Nuk dihet se, sa ky debat do të ndryshojë diçka në Angli, por Nicole Thorp ia doli mbanë që në kompaninë e saj, koleget femra të veshin edhe këpucë të sheshta kur të duan. /tch