Krerët e lartë të shtetit në Kosovë por edhe në Shqipëri uruan sot anëtarësimin e Kosovës në FIFA. Anëtarësimin në FIFA e përshëndeti presidenti Hashim Thaçi, i cili shkruan në Facebook se “Evropa është shumë e vogël për talentet e mëdhenj të Kosovës”.
“Anëtarësimi sot në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talentë kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA”, shkruan ai.
Sipas Thaçit, “ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar”. “E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA. Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovës”, shkruan Thaçi.
“2016-ta pa dyshim është viti ynë”, shkruan Kryeministri Isa Mustafa, ndërsa përshëndet pranimin e Kosovës në FIFA. “Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira. Kosova është gati”, shkruan në Facebook kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli menjëherë pas pranimit të Kosovës në FIFA vlerëson se kjo është një arritje tjetër e madhe për Kosovën.
“Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtejshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejt, mbarë bota, do ta shijoj futbollin e talentëve të panumërt të rinisë sonë”, shprehet ai.
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama uron Kosovën për pranimin në FIFA. “Pas UEFA-s edhe FIFA hap dyert për Kosovën. Urime, urime, urime! Forca Kosovë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Vendimi
Më në fund Kosova është pranuar zyrtarish në FIFA duke siguruar 141 vota në Kongresin e FIFA-s, i cili po mbahet në Meksikë.
FFK u bë anëtari i 210-të i FIFA-s, pasi siguroi 86 për qind të votave. Në total ishin 209 anëtarë dhe kundër votuan rreth 14 %
Disa ditë më parë FFK-ja u pranua edhe në shtëpinë evropiane të futbollit, UEFA.
Me të mbërritur në pikën 15 të axhendës ditore të punimeve të Kongresit, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino bëri të ditur rekomandimin e Këshillit të FIFA-s për pranimin e Kosovës, gjë që faktikisht e përforcoi edhe raportuesi special i një grupi që kishte marrë në shqyrtim të gjitha kriteret e nevojshme të pranimit të Kosovës, i cili përpara të gjithëve tha se FFK-ja i përmbushte të gjitha kriteret për anëtarësim.
Menjëherë pas tij ka folur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili pasi bëri të ditur se Kosova ishte tashmë e anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në UEFA, priste me padurim të anëtarësohej edhe në FIFA, për t’i dhënë mundësi kështu zhvillimit të mëtejshëm të futbollit kosovar.
Por, pas fjalës së tij ka ndërhyrë zv.presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, i cili ka shprehur rezervat e tij dhe ka bërë fushatë për mospranimin e Kosovës, duke u përqëndruar më së shumti në faktin që Kosova ende nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, gjë që ishte edhe një prej neneve të statutit të UEFA-s që u diskutua shumë përpara se Kosova të anëtarësohej në organizatën europiane, por që u anashkalua gjithsesi.
Votimi për anëtarësimin e Kosovës rezultoi surprizë, pasi FFK-në e kanë mbështetur 141 vende përkundrejt 23 votave kundër, edhe pse asaj i duheshin vetëm 105 vota për t’u bërë pjesë e FIFA-s. Pas këtij suksesi, Fadil Vokrri ka marrë sërish fjalën duke i falënderuar të gjithë për këtë zhvillim të sotëm, ndërsa Gianni Infantino e ka përshëndetur në fund duke i thënë se, FIFA gjithmonë do të përpiqet të krijojë ura të reja për zhvillimin e futbollit në botë.
a.k