Prokuroria e përgjithshme ka kryer në 24 orët e fundit dy gjeste, prej atyre që s’ja kemi parë kurrë t’i ndërmarrë. Ajo ka nisur hetimet kryesisht, pra me iniciativën e saj, ndaj policisë së shtetit dhe bashkisë së Tiranës, për dy çeshtje të cilat janë ose krejt të paqarta (paisjet e përgjimit të policisë), ose krejt qesharake (protesta e bashkisë).
Adriatik Llalla është arkivuar tashmë si kreu i prokurorisë së përgjithshme që çdo vit ka bërë deklarata për arrestime të bujshme të cilat nuk kanë ndodhur kurrë. Qëkurse është zgjedhur, në fakt prokuroria ka bërë krejtësisht të kundërtën, ashtu siç po bën edhe në rastete e mësipërme, kur bën sikur heton ministra e kryebashkiakë, duke i qëlluar thjesht me fishekë manovre. Pas lajmit të dhënë nga presidenti Nishani, për egzistencën e paisjeve të paautorizuara të përgjimit në polici, organi i akuzës shpejtoi të njoftojë publikun se kishte nisur prej tre ditësh një hetim në lidhje me problemin në fjalë. Një hetim i mbuluar nga mjegulla dhe paqartësia, i cili vështirë se do shkojë më larg sesa titujt dhe vëmendja e mediave që arriti të kapë në minutat e para pas bërjes publike të lajmit.
Kurse në rastin e protestës së Veliajt, prokuroria u bë në mënyrë të shëmtuar palë e akuzave humoristike për “presion” mbi drejtësinë. Llalla e ka nisur këtë hetim qesharak, edhe pse paraardhësja e tij në postin që mban, jo vetëm ka pësuar trysninë e politikës, por është dhunuar e fyer publikisht nga kreu i qeverisë së kohës, për shkak të detyrës që mbante. Për më tepër, kryeprokurorja është penguar të zbatojë edhe urdhër-ndalimet për punonjësit e Gardës, një shkelje flagrante, që duhet të çonte në burg autorët e saj. Llalla nuk hetoi kurrë për këtë precedent, por është duke hetuar tani njërën ndër dhjetra protestat që konsumohen përditë në dyert e gjykatave të Tiranës.
Duke mos harruar të hetojë dy rastet e mësipërme, ka shumë mundësi që prokuroria e përgjithshme të ketë harruar të lëshojë urdhër-arrrestin për trafikantin që këto orë po shkund politikën dhe mediat. Duke i lejuar kësisoj atij që të “çajë ferrën”. Trajtim i ndershëm, s’ke ç’thua!