Video e transmetuar nga Ora News e ish Kryetarit të Bashkisë së Dibrës me një 20 vjecare, së cilës i kërkonte favore seksuale pasi i firmosi kontratën e punës është vetëm maja e ajsbergut turpërues për mënyrën sesi trajtohen zyrat e shtetit nga zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar. Funksioni i shërbëtorit të publikut përmes një performance profesionale dhe në ndihmë të qytetarëve fatkeqësisht përdoret si togfjalësh në kohë fushatash, të cilat mbarojnë ditën që zyrtari merr celësat e zyrës.
Më të rrezikuarat nga predatorët e seksit janë vajzat dhe gratë, kryesisht të pa arsimuara, të detyruara të pranojnë të pamendueshmen, për bukën e gojës dhe vendin e punës. Nuk është fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, por në vendin tonë konsiderohet si një e keqe e pamundur për t’u luftuar. Ka një dozë vetëdorëzimi përpara realitetit, ndaj të cilit shoqëria duhet të jetë më aggressive dhe ndëshkuese.
Shumë burra dhe me gjasë edhe gra mund të kenë hedhur dyshime mbi vullnetin e atyre vajzave dhe grave që ndodhen përpara ofertave seksuale me zyrtarë abuziv. Disa mendojnë se edhe burrat në pushtet provokohen, apo lejohen të shkëmbejnë rrogën dhe vendin e punës me takime private. Këta individë, ose nuk duan ta kuptojnë problemin, ose janë shfrytëzues të këtij realiteti primitiv dhe të shtrirë masivisht, ose me këq akoma i mendojnë gratë si subjekte argëtimi.
Në të gjitha rastet, si maskilistët, cinikët apo ata që flasin ndryshe nga sa veprojnë, kthehen në promotorë të së keqes, në mbrojtës publik të viktimizimit të shpërdoruesit dhe fajësimit të viktimës. Ndodh shpesh në debatin e ditës që problemit nuk I shkohet në zemër dhe kjo është e papranueshme për një shoqëri që në dukje përpiqet të promovojë kuota dhe përfaqësim sa më dinjtoz, barazi gjinore, të drejta dhe shanse të barabarta për edukim dhe karrierë.
Mënyra se si shoqëria shqiptare reagoi pas video-skandalit është gjithashtu skandaloze. Në vend të humorit dhe gallatës me foto montazhe të frymëzuara nga xhirimet në hotel, shqetësimi i prindërve, intelektualëve, nënpunësve të administratës, qytetarëve të thjeshtë, dibranëve apo skrapallinjve duhet të ishte I ashpër dhe ndëshkues për gjuhën e pëdorur brenda zyrave të shtetit dhe nga zyrtarët me pushtet.
Edhe njëherë, shoqëria dëshmoi se është e papjekur dhe e papërgatitur për t’u përballur me të keqen brenda saj. Jo sepse nuk është e vetëdijshme për ekzistencën e fenomenit në familjet shqiptarë, por sepse është më e lehtë të gjesh arsye për të mos u vetëkorrigjuar duke kërkuar motive jashtë moralit dhe përgjegjshmërisë që duhet të kenë të zgjedhurit publik dhe politikë.
Posaçërisht për Javanews/ a.k
B R A V O