Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore ka reguar në lidhje me protestën e Bashkisë dhe shoqërisë civile dy ditë më parë, pranë Gjykatës së Apelit Administrativ. Pa Presidentit Nishani dhe KLD-së, edhe Konferenca Gjyqëosre ka dënuar protestën si një shenjë e dhunimit dhe frikësimit të gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës së tyre.
Konferenca Gjyqësore ka kërkuar që protesta të tilla të mos ndodhin më.
Reagimi i plotë nga Konferenca Gjyqësore
“Më datë 13.05.2016 Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme, të diktuar nga ngjarja e ndodhur me datë 11.05.2016 përpara Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë.
Këshilli Ekzekutiv, në emër të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nëpërmjet kësaj deklarate synon të komunikojë publikisht shqetësimin dhe njëkohësisht ndërgjegjësimin e organeve shtetërore, ndaj sulmit të organizuar ndaj një gjyqtari, gjykate dhe për rrjedhojë edhe ndaj pushtetit gjyqësor.
Kemi ndjekur me shqetësim organizimin tubim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, nëpunësve të Bashkisë Tiranë, deputetëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës para Gjykatës së Apelit Administrativ gjatë ditës dhe kohës kur në gjykatë po zhvillohej gjykimi i një çështje administrative.
Vlerësojmë se tubimi i organizuar, pati si qëllim intimidimin e gjyqtarit, trupit gjykues dhe të gjithë gjykatës administrative. Ushtrimi i këtij presioni demostrativ nuk i shërben aspak misionit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe dhënies së drejtësisë. Demostrimi me tubime para gjykatës i pakënaqësive të palëve ndërgjyqëse, nuk mundet të jetë kurrsesi forma ligjore e mbrojtjes, aq më shumë kur kjo gjë ndodh nga persona zyrtar që përdorin administratën për këto qëllime dhe në emër e për llogari të institucioneve kushtetuese. Kjo sjellje është e papranueshme dhe afërmendsh krijon pritshmëri tek çdo ndërgjyqës i pakënaqur nga dhënia e drejtësisë, për forma organizimi demonstrative të cilat mundet të ushtrojnë presion të paligjshëm në veprimtarinë e gjykatave.
Gjithkush, e aq më tepër personat zyrtar dhe institucionet kushtetuese, duhet të mbajnë parasysh se, pavarësia e pushtetit gjyqësor është parakusht për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Gjithkush duhet të mbajë parasysh se, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarit, trupës gjyqësore apo gjykatave pas-sjell përgjegjësi sipas ligjit. Në funksion të garantimit të procesit të dhënies së drejtësisë do të duhet që palët, personat zyrtar që përfaqësojnë ato, të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje përpara gjykatës. Kështu, kërkojmë që veprime të tilla të mospërsëriten më në të ardhmen“, thuhet në reagimin e Konferencës Gjyqësore.
javanews/ a.k