Pas një dite të tërë me vështirësi dje në 2 janar, që nisi në orët e para të mëngjesit dhe zgjati deri vonë në mbrëmje, aksi kombëtar Elbasan–Librazhd–Përrenjas ka rifilluar funksionimin normal. Kushtet ekstreme të motit, me ngrica të forta dhe reshje dëbore, shkaktuan paralizimin e qarkullimit, duke lënë për orë të tëra në rrugë mijëra automjete dhe një numër shumë të madh udhëtarësh.
Vështirësitë më të mëdha u shfaqën në zonat problematike të njohura për rrezikun nga akulli, si kthesat e Murrashit, Dragostunjës dhe Pishkashit. Në këto segmente, mungesa e ndërhyrjeve të menjëhershme për trajtimin e rrugës bëri që lëvizja të ndalej pothuajse plotësisht. Kolonat e mjeteve u shtrinë për dhjetëra kilometra, nga Fushë Labinoti deri në afërsi të Urës së Bushtricës, duke krijuar një situatë të rëndë dhe të pazakontë për këtë rrugë kombëtare.
Reagimi i vonuar i subjekteve përgjegjëse për mirëmbajtjen, si dhe mungesa e masave parandaluese, ndikuan drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes. Vetëm pas përmirësimit të motit dhe ndërhyrjeve të vonuara për pastrimin dhe kriposjen e rrugës, qarkullimi nisi gradualisht të rikthehej.
Sot, megjithëse trafiku mbetet i shtuar për shkak të lëvizjeve të pushuesve dhe emigrantëve, nuk raportohen më bllokime. Policia rrugore vijon t’u bëjë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore, veçanërisht në segmentet ku ende ka prezencë ngricash.











