Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ishte sot i pranishëm në ceremoninë e ankorimit në brigjet shqiptare të Durrësit, të Anijes Rhapsody e Grandi Navi Veloci, ku për herë të parë stafi i shërbimit të barit dhe kuzhinës përbëhet nga nxënës shqiptarë të shkollës profesionale “ Hysen Çela” Durrës, të punësuar në këtë anije.
Kjo u bë e mundur falë marrëveshjes së binjakëzimit të kësaj shkolle me Shkollën e Ekonomisë së Detit në Itali. Ministri Klosi falënderoi ambasadën italiane në Tiranë për mbështetjen dhe bashkëpunimin, sikundër edhe qeverinë italiane për kontributin e fuqizimit të arsimit profesional në vend.
“Kjo është një përpjekje që nisëm 9 muaj më parë me Ambasadën Italiane, e cila realisht sot ka dhënë një produkt shumë të mirë. Të rinjtë dhe të rejat e Shkollës së Detit, që ne e quajtëm kështu nga një bashkëpunim që patëm me Shkollën e Ekonomisë së Detit në Itali, tashmë janë punonjës pranë një ndërmarrjeje shumë të madhe, që është ky traget”, tha Klosi.
Nga ky aktivitet, ministri Klosi bëri me dije edhe binjakëzimin e disa shkollave të tjera profesionale shqiptare, me shkollat më të mira italiane. Shkolla e mesme profesionale e Cërrikut do të binjakëzohet me shkollën prestigjioze të Ferrarrës në Itali. Shkolla e mesme profesionale e Fierit dhe e Lushnjës gjithashtu janë tashmë pjesë e projekteve të Cooperazione Italia, sikundër edhe shkolla Arben Broci në Shkodër, falë mbështetjes së qeverisë italiane do të shndërrohen në shkollë ekselence të megatronit.
“Ajo që kemi nisur është fare e thjeshtë. Të kemi mundësi që shkollat tona të formimit profesional në Shqipëri, duke u binjakëzuar, duke marrë asistencë të drejtpërdrejtë me shkollat simotra në Itali, të kenë mundësi që jo vetëm të prodhojnë punonjës shumë herë më të kualifikuar por dhe punonjës të rinj, të cilët duke patur një çertifikatë profesionale mund të gjejnë mundësinë për të patur një pagë shumë më të lartë”, tha më tej Klosi.
Klosi falënderoi palën italiane, ndërsa theksoi se “kjo është nisja e një projekti të madh të binjakëzimit të shkollave tona me shkollat italiane, që synon krijimin e profesionistëve për tregun shqiptar të punës por edhe atë italian dhe evropian”. (javanews.al / r.a)