Prokuroria e Kavajës ka bërë të ditura disa detaje nga hetimet mbi aksidentin tragjik të ndodhur më 8 maj në aksin Plepa-Qerret, ku humbën jetën dy fëmijë të vegjël, të cilët shkonin me nënën e tyre për të vizituar babanë në burg.
Sipas prokurorisë, “aksidenti ka ndodhur ne rrethanat e humbjes se vemendjes se drejtueses se automjetit, duke kaluar me pas ne hapësiren mes guardarelave (mbrojtësit anësor të karrexhatës) dhe më pas është përplasur me fillimin e guardrelës, e cila vazhdon përgjatë aksit rrugor.
Nga akti ekspertimit autoteknik, ndër të tjera, konkludohet se, lëvizja e automjetit të aksidentuar do të ishte në rrethana të tjera, nëse hapësira e ndërprerë e guardrelave do të ekzistonte e përfunduar, pra e plotësuar, duke bërë që forca goditëse e automjetit të amortizohej”.
Prokuroria e Kavajës ka marrë praktikën e ndërtimit të rrugës, për të mësuar se pse rruga ishte e ndërprerë në mënyrë të tillë. Nga kjo, prokuroria ka mësuar se hapësira është pranë një pike karburanti.
Kompania që zotëron pikën, gjatë ndërtimit të rrugës në vitin 2011, ka aplikuar disa herë tek Autoriteti Rrugor për t’i krijuar hapësirë që mjetet të hynin e dilnin nga rruga kryesore në pikën e furnizimit të karburantit.
Kjo kërkesë nuk është miratuar dhe administratori i kompanisë që administronte pikën e karburantit ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative, e cila fillimisht kishte vendosur edhe masën e sigurimit të padisë, në bazë të të cilës Autoriteti Rrugor duhet të lejonte hapësirën e kërkuar nga shoqëria private deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Më pas, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, i ka dhënë të drejtë padisë së pikës së karburantit në përfundim të procesit të gjykimit në themel.
ARRSH e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka pushuar padinë e kompanisë, duke rrëzuar njëkohësisht edhe vendimin e shkallës së parë.
Në bazë të këtij vendimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të vijonte procedurat për mbylljen e hapësirës ndërmjet guardarelave, si edhe për të marrë masat për sigurinë rrugore në atë pjesë të rrugës, e cila ishte object shqyrtimi gjyqësor.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ është marrë në vitin 2014 dhe deri në ditën e aksidentit tragjik të datës 08.05.2016, nuk janë marrë masat përkatëse si për plotësimin e hapësirës ndërmjet guardarelave, ashtu edhe për rritjen e sigurisë rrugore në këtë pjesë të aksit rrugor.
Për Prokurorinë e Kavajës, përgjegjës për mungesën e masave kanë drejtori juridik i ARRSH-së, Dritan Fejzo, si edhe Drejtori Rajonal i ARRSH-Tiranë, Bib Gjomakaj.
Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se drejtori Juridik nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ.
Ndërsa Drejtori Rajonal Tiranë nuk ka marrë masat për vendosur sinjalistikën dhe rritjen e cilësisë rrugore në vendin e ngjarjes së rëndë.
Panorama/d.i.