Pas protestës së djeshme, duket se trupa gjykuese e çështjes së pallateve te Diga e Liqenit ka reflektuar duke e shtyrë sërish gjyqin për në datën 18 maj. Kësaj here ajo jo vetëm ka njoftuar shtyrjen, por edhe ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore që ndiqen në të tilla raste, ndryshe nga sa kishte bërë më parë për të njëjtën çështje.
Burime nga Gjykata Administrative e Apelit thonë se në datën 18 maj do të shqyrtohet kërkesa e Bashkisë së Tiranës për përjashtimin e trupit gjykues, për të cilin bashkia kishte dyshime për konflikt interesi me aksionerët e kompanisë Gener 2, e cila po ndërton pallatet te Liqeni.
Këtë radhë, Gjykata ka njoftuar fillimisht palët, pastaj caktoi datën e gjyqit për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e trupës gjykuese me afat 1 javë përpara, e vetëm pas kësaj do të marrë në shqyrtim çështjen e vlefshmërisë së lejes për pallatet nën digë.
Ishte anashkalimi i këtyre procedurave arsyeja që e detyroi Bashkinë e Tiranës të thërriste në protest qytetarët. Rregulla të cilat me sa duket gjykata i kishte “harruar”. (javanews.al / a.r)