SPECIALE JAVANEWS/ “Ç’i bie rrotull ky more shokë!”. Duket si batutë filmi, por në fakt është një batutë që më mirë se çdo gjë ilustron tragjikomizmin në të cilën është përfshirë lidershipi i PD-së përballë faktit se duhet të votojë Reformën në Drejtësi. Çdo ditë kreu i PD-së Basha shpik nga një kusht të ri për të votuar Reformën në Drejtësi. Si gjithnjë kushtet i artikulon nëpërmjet deputetëve të PD-së. Pa i hyrë serialit të kushteve që për muaj me rradhë artikuloi lidershipi i PD-së për “t’i bërë bisht” Reformës në Drejtësi, mjafton të analizosh dy kushtet e fundit të saj për votim elektronik dhe qeveri teknike, për të kuptuar mungesën e seriozitetit të PD-së përballë Reformës.
Kushti i parë për votimin elektronik
Votimi elektronik është testuar në një numër të madh shtetesh të zhvilluara si Australia, Belgjika, Kanadaja, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Kazakistani, Holanda, Norvegjia, Rumania, Zvicra, Anglia etj., dhe ka rezultuar i dështuar. Në Holandë janë përdorur deri pak vite më parë pajisje DRE të votimit elektronik. Një grup i organizuar nga Rop Gonggrijp vendosi të bëntë një studim për këto pajisje, ku u arrit të zbulohej se ato kishin probleme të tmerrshme sigurie. Vetëm në një minutë kohë Rop arriti të zëvendësonin memorien e pajisjes duke e programuar atë të manipulonte votimin. Kur këto probleme u bënë publike, Holanda u rikthye në sistemin tradicional të votimit e numërimit me dorë.
Testim për votim elektronik u krye edhe në Gjermani. Një grup gjerman ngriti një çështje gjyqësore, e cila vazhdoi deri në Gjykatën Kushtetuese. Me një vendim të saj, Gjykata konstatoi se Kushtetuta e Gjermanisë u jep qytetarëve të drejtën të kuptojnë se si numërohen votat e tyre, pa pasur nevojë për njohuri të veçanta. Pajisjet e votimit elektronik mund të kuptohen vetëm nga një programues dhe ato nuk kishin ndonjë lloj transparence për votuesit. Për këtë arsye, Gjykata vendosi t’i konsideronte ato si të paligjshme. Kjo sanksionoi për Gjermaninë rikthimin te votimi me letër. Kur vende si Holanda dhe Gjermania kanë hequr dorë nga votimi elektronik, duket se një alternativë e tillë është tërësisht e parealizueshme në një Shqipëri shumë herë më të prapambetur në këtë drejtim. Por natyrisht për PD duket se ky kusht ka vlerën e sebepit.
Kushti i dytë qeveria teknike
Shumë javë më parë Javaneës pati informuar se në bisedimet me ndërkombëtarët krerët e PD-së kishin kushtëzuar votën e tyre për Reformën në Drejtësi me krijimin e një qeverie teknike. Thënë thjeshtë atë që Basha dhe Berisha nuk duket se mund ta marrin në zgjedhje, kërkojnë ta marrin në tavolinë, në përpjekje për të zhbërë mazhorancën parlamentare të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Zgjedhjet vendore provuan qartazi se lidershipi i PD-së Basha- Berisha, e ka shumë të vështirë që të thyejë koalicionin e majtë. Nisur nga kjo duket se atë që nuk arrinë dot ta marrin me zgjedhjeve, kërkojnë ta marrin në tavolinë nëpërmjet kuishtëzimeve për ligje të rëndësishme, siç është edhe Reforma në Drejtësi. Fillimisht mësohet se kushtëzimi me qeveri teknike për të votuar Reformën në Drejësi i ka çuditur jo pak ndërkombëtarët. Kjo për faktin se këto dy procese nuk kanë asnjë lidhje njëra me tjetrën. Në fakt taktika e një qeverie teknike nuk është ndonjë risi për PD. Këtë rrugë e ka shkelur vazhdimisht Berisha sa ka qenë në opozitë. Të njëjtën taktikë kushtëzuese ndoqi Berisha në vitin 1998, gjatë kohës kur kërkohej miratimi i dokumentit themelor të shtetit në Kuvend. Natyrisht që kushtëzimi për krijimin e një qeverie teknike në këmbim të votave në Kuvend nuk u mor në vlerësim nga ana e faktorëve politik shqiptarë dhe ato ndërkombëtarë. E natyrisht ska asnjë gjasë që të merret në vlerësim as këtë rradhë.
(javanews.al) Me. Ar