Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë thirrje liderëve politikë serbë në vendin fqinj, Bosnjë dhe Hercegovinë, që ta parandalojnë dhunën në protestat në rrugë, të parapara të mbahen më 14 maj.
Si partitë opozitare, ashtu edhe ato në pushtet, në rajonin autonom serb në Bosnjë, të njohur si Republika Serbe, u kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre që të dalin në rrugë në qytetin e Banja Llukës për të protestuar para zgjedhjeve lokale të tetorit.
Opozita do të protestojë kundër papunësisë dhe korrupsionit, ndërsa partia në pushtet ka kërkuar nga njerëzit që të shprehin përkrahje për politikat qeveritare, referon Koha.
Vuçiç tha se inteligjenca serbe ka parë indikacione se protesta mund të jetë e dhunshme. Ai tha se ka biseduar me liderët e serbëve të Bosnjës, përfshirë presidentin e Republikës Serbe në Bosnjë, Millorad Dodik. (B.an)