Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se protesta e së shtunës do të jetë edhe më e madhe sesa protesta e 9 janarit dhe se ajo e 17 shkurtit.
Presioni për dorëheqjen e Qeverisë, siç tha Haradinaj në intervistën dhënë “Zërit”, do të rritet dhe më shumë, ndërsa zgjedhjet, sipas tij, do të mbahen në vjeshtë
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është optimist se protesta e të shtunës (14 maji) e organizuar nga partia e tij dhe nga “Nisma për Kosovën” do të jetë edhe më e madhja e organizuar ndonjëherë nga opozita.
Në intervistën dhënë “Zërit” ai e konsideron të dhimbshëm faktin që nuk ka vazhduar presioni i filluar me protesta të organizuara nga blloku opozitar, “Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma”, por lufta po vazhdon e ndarë.
Mirëpo, Haradinaj shprehet i bindur se presioni për dorëheqje ndaj Qeverisë “Mustafa” do të rritet dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në vjeshtën e këtij viti. (b.an)