Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj zhvilloi sot një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ku iu përgjigj pyetjeve mbi gjendjen e sistemit shëndetësor në vend.
Deputetë të opozitës shprehën shqetësimin për mungesën e barnave nëpër të gjitha spitalet e vendit dhe mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Nga ana e saj, deputetja e Partisë Demokratike, Albina Dede kërkoi shpjegime në lidhje me furnizimin me barna të spitaleve në vend, që sipas saj, ka mungesë. Ajo e cilësoi skandaloze gjëndjen e spitaleve.
Largimet nga puna ishin një pjesë që nxiti edhe debat në komision, ndërsa ministri i Shëndetësisë iu kundërpërgjigj akuzave, duke vënë në dukje se numri i punonjësve është rritur në disa spitale të vendit.
Po ashtu, Beqaj argumentoi faktin që qytetarët kanë akses në shërbimet shëndetësore, duke nënvizuar rëndësinë e parandalimit dhe diagnostifkimit të sëmundjeve që në fillesat e saj.
“Me ligjin e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, që hyri në fuqi në 29 janar 2016, mjeku i familjes për këdo që është rezident në Republikën e Shqipërisë eshte falas. Tendenca demografike e popullsisë së Shqipërisë po shkon drejt plakjes. Nëse sot kemi 13 % të popullsisë mbi 65 vjeç, projeksionet thonë se mbas 20 vitesh do të kemi 23 % të popullsisë. Ndaj nëse i jemi bashkuar vendeve ku sëmundjet jo ngjitëse kanë barrë të madhe, do të duhej padysim që ne të përfshiheshim në kujdesin shëndetësor falas. Dhe kjo është arsyeja që për herë të parë, me ligj parashikojmë parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm, si pjesë e kujdesit shëndetësor publik që i ofrohet kujtdo”, sqaroi Beqaj. (javanews.al / a.r)