Kryetari i Komisionit të posaçëm në reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj ka dhënë gjykimin e tij mbi debatin e hapur këto ditë, nëse ardhja në mbledhjet e grupeve parlamentare të ambasadorëve është apo jo një shkelje e sovranitetit të vendit. Xhafaj tha se në një vend normal dicka e tillë do ishe jo normale, por, ka shtuar ai, nuk duhet harruar se kanë qenë palët politike ata që i kanë kërkuar ambasadorëve përfshirjen në këtë proces.
Ambasadori Lu e Vlahutin nuk e ndërtuan këtë proces, por e gjetën atë. Jemi ne ata që i kërkuam atyre mbështetje. Ne i kërkuam atyre mbështetje për asistencë… Dhe nuk qëndruan thjesht në rolin e dhënësit të deklaratave, por u bënë bashkëpunëtorë të kësaj reforme. Absolutisht ata janë bashkëhartuesit e reformës…
Për këta puritanët e sovranitetit tonë… e di është kjo, ne e bëjmë sovranitetin tonë copë copë! Sovraniteti nuk është copë letre, por në rradhë të parë vlerë!
Padyshim nuk është fort normale, nëse ne nuk do të kishim problemet që kemi…por varet nga këndvështrimi, sepse ne i kemi kërkuar ata të jenë pjesë e këtij procesi e madje edhe garantë të saj, në këtë kuptim ata kanë të gjithë të drejtën morale. Ata i kanë hyrë këtij procesi me ne!
Fatmir Xhafaj theksoi se maxhoranca nuk e ka parë reformën në drejtësi si një proces për ti bërë qejfin Brukselit, por si një proces të domosdoshëm që do reformojë cilësisht sistemin.
“Ne i nxjerrim ligjet si simitet nga furra. Ne mund ta bënim këtë reformë edhe për tre muaj dhe për katër muaj. Nëse do ta kishim bërë vetëm për të qenë në rregull me Brukselin do të kishim bërë nja 5-6 ligje që na u rekomanduan në 2014-ën. Por ne duhet të ndanim mendjen duhet të bënim një reformë për qytetarët, për ta kthyer sistemin në interes të qytetarëve apo të bënim një reformë për Brukselin. Dhe ne vendosëm të bënim një reformë që do të reformojë sistemin. Eshtë vullnet i qytetarëve. Janë qytetarët që e kanë ushtruar këtë presion. 95% mendojnë se duhet reformuar sistemi.”- deklaroi ai.
Xhafaj tha se realizimi me sukses i reformës në drejtësi, për të është edhe një sfidë personale.
“Do të ishte e padrejte me veten, familjen e bashkëpunëtorët e mi nëse do ishte ndryshe. Unë jam politikan, jam edhe jurist në profesion. Do isha i lumtur të kisha bërë diçka që të qëndrojë në karrierën time politike, si diçka në shërbim të vendit. Kjo është sfida kryesore me të cilën jam angazhuar”, tha Xhafaj.
I pyetur nëse do ta mbyllë karrierën politike nëse reforma kalon me sukses, Xhafaj u pergjigj: “Është një gjë që duhet të mendoj”.
Sipas Xhafajt, tashmë reforma në drejtësi është afër realizimit të saj.
“Kjo nuk është një garë, është një maratonë me pengesa. Sa herë kalon duket sikur kalon një barrë të madhe, po kur shikon pengesën tjetër të duket i kapërcyeshëm. Nuk mund të them se s’do ketë pengesa të tjera, por jemi në kilometrat e fundit të maratonës”, tha Xhafaj.