Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar që shumë shpejt do ta themelojnë edhe Forcën e Armatosur të Kosovës, ndonëse nuk ka bërë të ditur nëse është marrë vesh me përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës.
“Po punojmë për krijimin e ushtrisë së Kosovës që do jetë ushtri e nivelit evropian dhe e pranuar në NATO”, kishte thënë ditë më parë kryeministri Mustafa.
Por, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët thonë se ende askush nuk ka biseduar me ta rreth formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Madje, i quajnë joserioze deklaratat e politikanëve se shpejt do të ndodhë formimi i FAK-ut, përderisa nuk ka asnjë bisedë serioze rreth kësaj çështjeje me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në Kuvend.
Edhe zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, është i bindur në themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ai i ka thënë gazetës “Zëri”, se megjithatë për këtë duhet të merren vesh me deputetët e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës. (b.an).