Gati një milion eurove të investuara në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë do t’u shtohen edhe tre milionë të tjera nga arka e shtetit të ri kosovar.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kaq pret të shpërndajë për investimet emergjente që janë rekomanduar nga Komisioni i përbashkët i FIFA-s dhe UEFA-s, muajin e shkuar, e po ashtu edhe nga një inspektor norvegjez i UEFA-s, që ka treguar në detaje se çfarë duhet rregulluar për t’u pranuar stadiumi për ndeshje ndërkombëtare, shkruan Koha Ditore.
Në stadiumin “Adem Jashari” është planifikuar të bëhet hidroizolimi i tribunave, rregullimi dhe zgjerimi i zhveshtoreve, mbyllja e hapësirave të hapura jashtë stadiumit, vënia e rrethit metalik përreth stadiumit në një gjatësi prej një kilometër dhe lartësi të rrethojave mes 4 dhe 6 metra, pastaj vendosja e reflektorëve, e impianteve te zërit dhe e kamerave të sigurisë. (b.an)