Nga Ben Andoni
“Plani dy vjeçar do t’i sjellë vendit begatinë!” Personazhi i Teodor Laços tek “Përballimi” e thotë i bindur se kjo do të jetë e vërtetë. Shqipëria e kohës së tij nuk ka shumë që ka dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe është krejt e rrënuar, mbijeton në dimrat e parë të vështirë duke dashur të krijojë një identitet. Dhe, ja, personazhi i tij (të tillë do ketë shumë pastaj gjatë socializmit), që e shpall të menjëhertë ndryshimin! Çuditërisht, ai që e ul me këmbët në tokë, është sekretari i partisë: begatia nuk vjen me një plan dyvjeçar dhe me shumë të tjerë. Duhet të punojmë! Sytë e militantit e shikojnë të habitur, që vërejtjen e merr mu nga ata që janë burimi i propagandës.
Analogjia mbase nuk është shumë e afërt, mund të mos jetë dhe shumë e gjetur, por ka një ngutje politikanësh dhe njerëzish të gjithë sferave në Shqipëri për të besuar se miratimi i Reformës në Drejtësi në javën e ardhshme do t’i ndihë shumë vendit. Madje, investimi personal i Ambasadorëve respektivisht Lu dhe Vllautin, po shfrytëzohet paq në dy kahe, nga diplomatët vetë, por edhe nga politika për akuza të ndërsjella. Reforma, pas muaj negociatash, akuzash, propozimesh, është krejt në rregull për t’u miratuar, sipas parlamentarëve, madje e konsultuar si nga specialistët e OPDAT dhe ato të EURALIUS.
Vetëm se megjithë përgatitjen dhe sugjerimet që kanë marrë kohë, drafti pothuaj nuk njihet fare nga publiku, pasi kësaj reforme nuk i është bërë një oponencë e qartë. Koha provoi se edhe të ashtuquajturit specialistë të reformës, në më të shumën e herëve nuk u shpëtuan dot interesave të politikës. Të gjitha debatet e Reformës janë bërë brenda llojit dhe për më keq akoma nga shumë prej personazheve që nuk kanë moralin për të bërë këtë reformë jetike.
“Drafti i Reformës në Drejtësi, duke filluar vetëm nga analiza procedurale e veprimtarisë e organeve të drejtësisë, ka sjell si produkt vetëm përpunimin e strategjisë për reformimin e tyre, duke e kthyer reformën vetëm në ndryshime titujsh apo emrash institucionesh. Në të kundërt citoj se koncepti i Reformës në Drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë në objekt fund dhe krye instrumentin, por të drejtën materiale, pa mohuar përmbajtjen dhe formën e institucionit”, citohet juristi Sokol Hazizaj.
Ajo që i mungon realisht kësaj reforme dhe ka përbërë një mungesë që shteti shqiptar e ka hasur shpesh gjatë ekzistencës së vet ka qenë mospërputhja e stadit shoqëror-ekonomik të vendit me ligjet dhe Kushtetutën e saj, fakt që apriori ka sjellë dhe do të sjellë vazhdimisht handikape të ndryshme gjatë funksionimit. Ndërkohë që debati duhej shtrirë më shumë në ndryshimet bazike që kërkon kushtetuta e vendit. Por, nuk mbaron këtu, vetë reforma ka nevojë sipas juristëve edhe për miratimin e 7 projekt/ligjeve të tjerë që të jetë në eficensë.
Me pak fjalë, një tollovi e madhe për një reformë që vërtetë do të zbatohet por që kurrkush nuk mund të thotë sesa do t’ia vlejë publikut dhe do ta shpëtojë nga mali me dosje që pret shqyrtime, por edhe nga një fushë që shqiptarët e kanë larë me gjak prej hasmërive. Fatkeqësisht, e kjo është e fundit: po janë të njëjtët politikanë që do e votojnë dhe do jenë po të njëjtët gjyqtarë që do ta zbatojnë.
Mbase reforma duhej bërë nga reformimi i institucioneve të veta, por kjo ha sërish shumë diskutime boshe. Dhe siç besonte personazhi i Laços, ndryshimi nuk vjen me një vit, as dy e më shumë vjet, pasi na duhet shumë të ndryshojmë vetveten. Një masë, që nuk kemi arritur ta bëjmë dot në të gjithë kohën e ekzistencës së shtetit tonë…dhe jemi këtu ku jemi.