Fituesi i çmimit “Nobel” në letërsi, shkrimtari turk, Orhan Pamuk, në një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica” shprehet i shqetësuar për lirinë e shtypit dhe shton se në vend mbizotëron frika. Sipas tij, qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim çdo ditë e më shumë po rrëshqet drejt autoritarizmit. Pamuk thotë se ndihet i frikësuar për të ardhmen e vendit të tij, sidomos përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut.
Ai fton vendet e Bashkimit Europian që të jenë më kritikë dhe të rrisin presionin e tyre ndaj Ankarasë sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e vlerave themelore të demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. “Vendet e Bashkimit Europian duhet të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Turqisë për çështje që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut. Po përpiqen me të gjitha mënyrat që të arrijnë një marrëveshje me Ankaranë për çështjen e emigrantëve. Shpresoj që liderët europianë, kur të shtërngojnë duart me homologët e tyre turq, t’u rikujtojnë atyre respektimin e lirisë së fjalës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe drejtuesit e tjerë të Europës, nuk duhet të përqendrohen vetëm tek zgjidhja e krizës së refugjatëve sirianë, por dhe të diskutojnë dhe të ndikojnë mbi qeverinë tonë, për problemin e demokracisë në vend”, thotë Pamuk.
Në intervistën e tij për të përditshmen italiane, Pamuk nënvizon se personalisht nuk i druhet asgjëjë, ndërsa nuk e fsheh frikën për të ardhmen e Turqisë. “Personalisht nuk i druhem asgjëje. Nuk kam aspak frikë për veten time. Por jam i frikësuar për të ardhmen e vendit tim, për miqtë e mi, për turqit laikë, intelektualët e vendit tim dhe të gjithë ata që mbështesin proceset integruese të vendit tim”, rrëfehet nobelisti turk.
Ndërkohë duke u ndalur tek liria e shtypit, Pamuk thotë se në vend mbizotëron frika dhe se pushteti po i mbyll gojën çdo zëri opozitar dhe në veçanti gazetarëve. “Personalisht jam shumë i shqetësuar për lirinë e shtypit dhe medias. Frika ndikon tek gazetarët që kritikojnë qeverinë, ata janë nën kërcënime të vazhdueshme për largime nga puna dhe mbyllje të gazetave dhe mediave të tyre. Vitet e fundit, qeveria jonë, pro-islamike, po humbet çdo ditë e më shumë ‘fytyrën’ e saj liberale dhe po bëhet përditë e më tepër autoritare dhe shtypëse”, nënvizon ai.
Ai nuk e fsheh faktin se ndihet i lodhur dhe tejet i mërzitur duke shkruar në gjykata për të mbrojtur veten, apo miqtë e tij. “Jam lodhur duke shkuar në gjykata për të mbrojtur veten time apo miqtë e mi. Këtu (në Turqi) flasin shumë për Turqinë e re. Atëherë, kjo është Turqia e re? Një vazhdim i asaj të vjetrës?! Një vend që dënon shkrimtarët?!”, shprehet Pamuk, ndërsa nënvizon faktin se vetëm në periudhën e fundit mbi 2 mijë persona përballen me akuza për fyerje të Presidentit, ndërsa gazetarë dhe intelektualë të shquar gjithashtu po përballen me akuza dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në disa vite.
I pyetur se cila mund të jetë e ardhmja e vendit të tij, Pamuk shprehet i pasigurtë, ndërsa nuk e fsheh frikën. Sipas tij, situata aktuale është mjaftueshëm dëshpëruese për demokracisë dhe të ardhmen e vendit./a.m.