Një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “me dyshimin se ka persekutuar të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë”, njofton Zyra e Emigracionit dhe Doganave e SHBA-ve.
Në intervistat me zyrtarët e emigracionit në SHBA, Halil Dacaj ka thënë deklarata inkriminuese duke pohuar se “ka intervistuar, rrahur dhe bartur të burgosurit në një bazë të UÇK-së për ndëshkime tjera”.
Dacaj u arrestua më 11 gusht të vitit 2015. Më 21 nëntor të vitit 1999, ai kishte arritur në Amerikë si vizitor i përkohshëm. Ai hyri duke prezantuar një pasaportë dhe vizë false, përcjell Koha.net njoftimin e ICE-së. Më 9 dhjetor 2003, një Gjykatë për Emigracion urdhëroi deportimin e Dacajt për në Kosovë.
Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE) realizuan deportimin e Dacajt si “largim i profilit të lartë” – që zakonisht jepet për personat që kërcënojnë sigurinë kombëtare amerikane dhe të drejtat e njeriut. (b.an)