Komisioni i Disiplinës pranë FSHF ka dënuar rëndë klubin e Tiranës për shkak të dhunës së shfaqur në përfundim të ndeshjes kundër Partizanit, por nuk e ka pranuar kërkesën e klubit të kuq për të marrë fitoren në tavolinë.
Dënimi i dhënë Tiranës është zhvillimi i tetë ndeshjeve pa tifozë, për shkak të sjelljes së gabuar të tyre, si dhe me paralajmërimin për masa më të ashpra nëse do të ketë përsëri shkelje të kësaj natyre.
Pas derbit, mbyllur në barazim 2-2, drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, u godit nga drejtori i Tiranës, Devi Muka. Ky i fundit është pezulluar me dhjetë ndeshje, po aq sa dhe zyrtari i Partizanit, Armando Dajlani, për sulm të kundërshtarit.
Edhe sjellja e tifozëve të kuq nuk ka kaluar pa ndëshkim, pasi klubi i Partizanit është gjobitur me 200 mijë lekë për hedhje të flakadanëve dhe stolave të stadiumit në fushën e lojës.
Për sa i përket kërkesës për fitore në tavolinë nga ana e Partizanit, ajo është hedhur poshtë nga Disiplina, për shkak se nuk janë konstatuar shkelje gjatë lojës dhe as ndërprerje të saj për shkak të personave që janë dënuar për dhunë në përfundim.
D. Ikonomi