Për pak e harruam që Ermira Mehmeti është një politikane. Për ç’ngjau me të këto kohë, na u duk sikur të ishte një personazh televiziv vanitoz, e lindur për rubrika thashethemesh.
Por nuk është kështu dhe së paku ne, nuk kemi pse ta shohim të tillë derisa ajo, si status publik ka atë të një politikaneje me jo pak peshë në fjalën e saj, idetë që shpalos.
Tesheshi.com vendosi ta intervistojë atë pikërisht për këtë arsye bazë të protagonizmit të saj publik, sidomos për vetë periudhën e rëndë që po kalon Maqedonia si pasojë e një krize të pashembullt politike.
Megjithatë, është vetë ajo që me kurajo nuk pranon t’i shmanget atij incidenti me “zërin e saj në telefon”, ku dhe në fund të intervstës zgjedh të ndajë diçka me publiken, nga ajo bota e saj e brendshme e trazuar tashmë prej javësh…
Po bëjmë një parantezë para se t’ju pyesim, pikërisht për atë që ju njiheni në publik, si deputete, si politikane: ne si portal nuk kemi pranuar që të publikojmë atë bisedë, që, për shkak të delikatesës që barte, nuk mund t’ja servirnim publikut për ca klikime më shumë, derisa nuk jemi të bindur që ajo është e vërtetë. Sepse, është fjala për nderin dhe dinjitetin e një njeriu, kushdoqoftë ai. Aq më tepër që tesheshi.com nuk pranon të Copy-ojë lajme sa lart poshtë, pa qenë të kaluara në sitën e saj, ose pa qenë të gatuara në kuzhinën e saj. Tashmë çdo gjë është e qartë, ju e konsideroni atë një sajesë, një truk, dhe për këtë i jeni drejtuar organeve të prokurorisë. Dhe kaq mjafton apo jo?
Dhe për ta sqaruar edhe njëherë, dëshiroj të përsëris se bëhet fjalë për një audio prodhim të montuar për të denigruar personalitetin tim dhe për të më diskredituar përpara shqiptarëve, përpara familjes, përpara miqve, fqinjëve, kolegëve, por edhe përpara diplomatëve, gazetarëve e të gjithë të tjerëve me të cilët unë punoj e komunikoj. Unë kam bërë dy denoncime, tek Prokuroria Themelore dhe tek Prokuroria Speciale. Kam biseduar edhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, i cili poashtu ka ndarë bindjen se bëhet fjalë për një material të montuar, dhe poashtu kam angazhuar disa profesionistë nga Maqedonia dhe nga jashtë, të cilët poashtu kanë ardhur tek i njejti konstatim. Sa për të përkujtuar, ky material nuk është publikuar nga asnjë organ i autorizuar apo nga ndonjë organ kredibil. Për më shumë, nuk e ka publikuar as lideri i opozitës, i cili i publikonte ‘bombat’. Këto janë vetëm disa dëshmi se bëhet fjalë për një skenar të menduar mirë për të rrënuar autoritetin tim.
Atëherë, le të flasim për aktualitetin politik. Po përjetohet një krizë e rëndë, ndoshta më e rënda që pas luftës së 2001-shit. Si erdhi Maqedonia deri në këtë pikë, çfarë ndodhi?
Unë mendoj se Maqedonia erdhi deri në këtë pikë për shkak se ish-kryeministri, ekspontentët e partisë së tij, por së fundmi edhe presidenti jolegjitim si kuadër i partisë së tij, morën të gjitha hapat e gabuara për të zgjidhur krizën. Natyrshëm, kur opozita publikon aferë të përgjimeve të pushtetit, pushteti duhet të japë dorëheqje dhe të shkohet menjëherë në zgjedhje të parakohshme. Tek ne, pushteti nuk dha dorëheqje, ndërsa opozita pranoi të negocionte për zgjedhje, në vend se të negocionte për zgjidhje. Besoj e kuptoni, e kam fjalën për Marrëveshjen e Përzhinos e cila në thelbin e saj duhej të shërbente si kornizë për rikthimin e institucioneve demokratike, dhe jo si kornizë për zgjedhje të parakohshme. Për pasojë, tani kemi ardhur në një situatë tërësisht konfuze dhe agonike kur përpjekja është vetëm që të mbahen zgjedhjet. Kemi vakum institucional, ngecje absolute në realizimin e reformave, gjyqësor me pavarësi të cënuar që nuk arrin të realizojë pritshmëritë e qytetarëve, media në krizë, dhe mosbesim gjithnjë e në rritje të qytetarit tek institucionet.
Duke lënë tej “bombat” e Zaevit, që ato në një farë mënyrë e bën shpërthyese situatën, a ka kusure në qeverisje koalicioni VMRO-BDI-i?
Po, opinioni e di mirë qëndrimin tim ndaj natyrës së qeverisjes me VMRO-DPMNE. Unë kam pasur në vazhdimësi vërejtjet e mia konceptuale lidhur me atë se si e kuptojmë dhe si e ushtrojmë pushtetin ne dhe partneri ynë. Nëse do të isha cinike, tani do të thosha se unë pagova një çmim shumë të lartë pikërisht për këtë arsye: të qënit kritike dhe të qënit parimore në vërejtjet e mia.
Dhe në raport me faktorin shqiptar, duket se ngjarje si ato të liqenit të Smillkovës, apo dhe Kumanova më së fundi, e kanë demonizuar koalicionin tuaj. A mund të kishte një qasje ndryshe, më elastike, më të urtë?
Duhet sqaruar dy gjëra: e para, ne kemi qeverisur me një partner me premisa të theksuara autoritarianizmi; një partner i cili ka problem për të pranuar nevojën e konsensusit, nevojën e koncesioneve, nevojën e dialogut politik, qoftë ndëretnik apo brenda etnik. Kur qeverisni me një partner të tillë, sfidat tuaja janë shumë komplekse. E dyta, akuzat që na drejtohen nga partitë opozitare shpeshherë më duken të frymëzuara dhe me përmbajtje estrade. Të pabazuara në fakte, por thjesht formulime fjalish të fuqishme për të goditur në ndërgjegjen e qytetarit. Por qytetarët janë më të ndërgjegjshëm se ç’kishin paramenduar makineritë propagandistike të rivalëve tanë.
Cila mendoni se është gjëja më e mirë e bërë nga koalicioni VMRO-BDI-i, në zhvillimet e tërësishme, por sidomos në aspektin e çështjeve të mprehta nacionale? Fjala vjen, ç’është ajo gjë që BDI jua thotë me krenari bashkëkombasve: “Këtë të mirë e keni prej nesh”?
Kam përshtypjen se kur pyetja parashtrohet në këtë mënyrë, lista duhet të jetë shumë e limituar për të mos thënë inekzistente. Megjithatë, nëse do të veçoja një projekt, siç e kërkoni, do të thosha pa dyshim se është universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Na narrativën politike tuajën si klasë politike, Europa, standartet dhe vlerat e saj janë në majë të gjuhës. Por ajo mbetet ende tejet ballkanike, sidomos për nivelin e lartë inatçor që paraqet. Madje më shumë se vizionet, forca lëvizëse e gjërave janë inatet. Pse ndodh kjo?
Nevojitet qarkullim elitash, përfshirje më e madhe të kuadrove të shkolluara nëpër universitete prestigjoze në Perëndim, më shumë kuadro me eksperiencë pune në organizata e korporata të mëdha ndërkombëtare. Ata nuk vuajnë nga komplekset ballkanike të inateve dhe intrigave, dhe të tillët mund të jenë bartës të një fryme të re, moderne e modernizuese për politikën me premisa të theksuara arkaike të Ballkanit në të cilën protagonistë jemi ne.
Për shkak se realiteti i gjërave nuk të dhuron gjithnjë atë që t’i dëshiron, gjithsesi, si do e donte Maqedoninë Ermira Mehmeti?
Maqedoninë do ta doja më të hapur, më të çliruar nga komplekset e inferioritetit, me një garë afirmative dhe në kuptim të ndërtimit të cilësisë mes etnive, më pak folklorike e populiste, më të relaksuar nga frustracionet e ndryshme që na ngarkojnë, më pozitive pa dyshim!
E sërish në çështje më konkrete të politikës së ditës. BDI, partia ku ju aderoni, nga një pjesë e opinionit shqiptar gjykohet se i ka tradhëtuar idealet e luftës, prej së cilës dhe nga ka dalë. Po gjykimi juaj cili është në këtë rast?
Nëse kam mësuar një gjë nga politika në gjithë këto vite, atëherë është pa dyshim të qënit e kujdeshshme në përdorimin e kualifikimeve dhe termave gjeneralizuese të cilat janë fyese për një kolektivitet. Personalisht do ta kisha hequr termin “tradhëtar” nga ligjërimi politik, dhe po ua shpjegoj përse. Asnjë politikan nuk besoj se niset të kryejë detyrën e vet për t’u bërë tradhëtar i popullit që përfaqëson, prandaj kur i kualifikojmë si të tillë, kemi bërë një kualifikim shumë të rëndë. Çdo politikan angazhohet për të mirën e atyre që përfaqëson, dhe disa e bëjnë këtë më mirë, të tjerë më keq. Vlerësimin e bëjnë votuesit në ditën e zgjedhjeve. BDI është themeluar si një lëvizje politike e dalë nga një kryengritje e armatosur që kishte për qëllim ndryshimin e statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Kush thotë se statusi i shqiptarëve nuk ka ndryshuar, për fat të keq nuk e thotë të vërtetën. Por, nëse parashtrohet pyetja se a ka pasur vështirësi gjatë realizimit të mandatit, unë them po, dhe për këtë kam qenë konsekuente në vazhdimësi gjatë gjithë këtyre tetë viteve.
Për sa është në politikë, por dhe në qeverisje, ç’standarte pozitive ka injektuar BDI? Ç’model ka ofruar prej së cilit duhet marrë shembull?
Shikoni, kabinetin e ri qeveritar, për shembull. Bëhet fjalë për një gjeneratë të rinjsh e të rejash të edukuar në shkollën politike të BDI-së, të frymëzuar nga idetë politike të saj. Të gjithë vijnë nga Forumi Rinor, si motori nxitës i rekrutimit të të rinjëve në artikulimin politik. Të gjithë ata janë aktualisht me tituj shkencorë dhe flasin nga disa gjuhë të huaja. Ata paraqesin një gjeneratë shqiptarësh të emancipuar, të shkolluar në universitetet në gjuhën shqipe në Maqedoni, kanë bërë studime e qëndrime studimore jashtë vendit dhe, ajo çfarë unë e vlerësoj në veçanti, ata nuk vuajnë nga kompleksi i inferioritetit si shqiptarë ndaj askujt, as ndaj maqedonasve as ndaj ndonjë grupi tjetër etnik.
Për çfarë nuk jeni dakort në gjuhën e opozitës ndaj jush?
Për fat të keq, retorika publike ka rënë shumë poshtë, niveli i diskurit publik është shumë i ulët dhe i mbushur me epitete e shprehje denigruese. Këtë gjej në gjuhën e opozitës ndaj nesh. Nuk ka kontestim idesh, nuk ka debat mbi programin, mbi projektet, ka vetëm fyerje dhe ofendime. Ky nuk është model politik bashkëkohor por është recidiv i të shkuarës dhe nuk ngjason me modelet progresive nga të cilat është frymëzuar BDI në kohën e themelimit të vet.
Nuk po ju pyesim se kush do i fitojë zgjedhjet e qershorit, por që ç’e mirë do e priste vendin nëse ato fitohen sërish nga VMRO-BDI?
Deri në këtë moment nuk mendoj se 5 qershori është një mundësi reale. Mbajtja e zgjedhjeve sa për ta bërë rendin nuk është një skenar që e dëshiron apo që do ta mbështeste BDI. Ne duam zgjedhje kredibile dhe që do të njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Në këtë moment, faktikisht, nuk ka atmosferë të tillë në Maqedoni.
Si qëndron e vërteta e shfaqjes së vëllait tuaj në protestat e opozitës? Mos është thjesht një liri zgjedhjeje personale, nëse dhe në këtë rast nuk ka ndonjë truk keqdashës?
Vëllai im nuk është anëtar i LSDM-së, kurrë nuk ka qenë dhe nuk është, le të sqarohet kjo akuzë njëherë e përgjithmonë. Ai është aktivist qytetar i cili në protesta merr pjesë si mbështetës i organizatës qytetare “Protestoj”. Dhe po, është thjesht liri zgjedhjeje personale, nuk ka të bëjë me asnjë lloj konspiracioni tjetër.
Rrallë është komentuar një fakt, që, në opinionin shqiptar të Maqedonisë, ekziston një kahje që ka qenë kundër luftës së vitit 2001, por jo se janë palë me politikën maqedonase. Thjesht e konsiderojnë të paarsyeshme dhe me pasoja të shtrira në kohë. Ju cilit pozicion i përkisni?
Rëndom ndodh ashtu kur ndodh një tronditje shoqërore e cila ia cënon privilegjet një elite të caktuar. Kështu ka ndodhur me establishmentin i cili u cënua kur ra komunizmi, me establishmentin i cili u cënua kur u shpërbë Perandoria Osmane, kështu ka ndodhur historikisht gjatë çdo ngjarjeje historike e cila ka bërë një ndryshim revolucionar në shoqëri. Mendoj se më së miri mund ta shpjegojnë ata vetë këtë lloj kundërshtimi, unë nuk do të doja të paragjykoj dhe as të gjykoj publikisht askënd.
Politika shqiptare e ka boll të pranishme elementin femër, por elegance e një femre, ndjeshmëria dhe finesa e saj i mungon së tepërmi. Pse është ky paradoks?
Këtu besoj se nuk ndajmë të njëjtin vlerësim. Unë mendoj se politika shqiptare ka mjaftueshëm femra elegante dhe fine. Problemi është se ato akoma përpiqen të sigurojnë dhe të ruajnë hapësirën e tyre në një diskurs të ashpër maçoist të diktuar nga burrat të cilët në politikë duket se janë në habitatin e tyre të natyrshëm. Shikoni pak takimin e javës së kaluar regjional të grave parlamentare që u mbajt në Tiranë. Ambient fin, elegant, intelektual e akademik, i përbërë nga gra deputete shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, e rajoni më i gjerë ballkanik. Një imazh shumë i bukur dhe shpresëdhënës për femrën në politikë.
Një koleg im juaju partiak, Agim Nuhiu, gjatë një interviste për tesheshi.com, ka shpalosur dhe një moral me “adresim qiellor” në vizionin e të ushtruarit të detyrës, kur ka thënë “në emër të Zotit…”. Mos ngjan pak si e habitshme për një politikan nga BDI kjo, meqënëse ekziston perceptimi i një fryme ateiste tek ju si forcë politike?
BDI është parti laike, jo ateiste, dhe kështu duhet të jetë në një shtet demokratik që në Kushtetutën e vet e ka të përcaktuar shekularitetin si parim themelor. Unë besoj se njeriu natyrshëm ka nevojë që të besojë, dhe të gjithë ne besojmë në diçka, por e kam thënë dhe po e përsëris: nuk do të lejoj asnjëherë të bëhem si ata politikanë shkurtpamës të cilët për interesa triviale bëjnë besimtarin duke shkuar nëpër tempuj fetarë, dhe në këtë mënyrë manipulojnë me bindjet e besimtarëve. Ky nuk është modeli im politik.
A mund të shprehni një dëshirë në këto moment, qoftë dhe jopolitike, por që mund të vlejë dhe si publike?
Nuk di në cilën sferë bie kjo që do ua them, por ja po e ndaj me ju: gjatë gjithë kësaj kohe sa ka ndodhur goditja ndaj meje, çdo natë kur kam vënë djalin tim në gjumë, i kam premtuar një gjë: “do ta mbijetojmë këtë!” Nuk e di nëse një katër vjeçar arrin ta kuptojë një deklaratë ose premtim të tillë, por kisha një ndjenjë sikur pranoja nga ai energji dhe fuqi për të qëndruar e për të mbijetuar. Jam e lumtur që e kam pasur pranë gjatë këtyre muajve, qartësisht muajt më të hidhur në jetën time. /tesheshi.com
javanews/ a.k