Papa Françesku ka shprehur dëshpërimin e tij të thellë për Europën, që sipas tij po rritet gjithnjë e më shumë mes të qenit “e lodhur” dhe “e ngulitur” në qëndrimet e saj, ndaj dhe u ka bërë thirrje drejtuesve më të lartë qeveritarë në kontinentin e vjetër që të mos i shohin emigrantët si kriminelë.
Komentet, Ati i Shenjtë i ka bërë në prani të udhëheqësve më të lartë të BE-së, përfshi këtu Kancelaren gjermane, Angela Merkel; kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi; si dhe presidentët e Parlamentit Europian, Komisionit dhe Këshillit.
“Çfarë po ndodh me ty, moj Europë e humanizmit, kampione e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe lirisë? Çfarë ka ndodhur me ty Europë, shtëpi e poetëve të shquar, filozofëve, artistëve, muzikantëve, burrave e grave të letrave?”, deklaroi Papa Françesku. “Çfarë ndodhi me ty Europë, nënë e popujve dhe kombeve të shumtë, nënë e burrave e grave të mëdha, që kanë sakrifikuar jetët e tyre për dinjitetin e vëllezërve dhe motrave të tyre?”, vijoi më tej Ati i Shenjtë.
Papa Françesku ka folur gjatë një ceremonie në “Sala Regie” të Vatikanit, teksa do t’i dorëzohej pikërisht atij çmimi i përvitshëm “Charlemagne”, dhënë nga qyteti gjerman i Aachenit ndaj atyre që kanë kontribuar më së shumti për idealet e Europës së pasluftës, shkruan TCH. Komentet e tij vunë në dukje gjendjen e sëmurë në zemër të Bashkimit Europian, që ka luftuar me një krizë borxhesh të gjatë dhe përçarëse, teksa po lufton tashmë me përthitjen e një fluksi tepër të madh emigrantësh e refugjatësh, shumica e të cilëve i largohen luftës civile në Siri.
Papa Françesku e ka quajtur më pas Europën si “të lodhur, por ende të pasur me energji dhe mundësi”, teksa shtoi se kontinenti i vjetër “po ngulmon së tepërmi në qëndrimet e vjetra, në vend që të tregohet i hapur ndaj nisjes së proceseve të reja sociale, të afta për të angazhuar të gjithë individët apo grupet, në kërkim të një zgjidhjeje të re dhe produktive të problemeve aktuale”.
Argjentinasi, i pari Papë joeuropian në 1300 vite në krye të Kishës Katolike, tha se dëshira për unitetin europian “duket se po venitet” dhe se “ata që konsiderojnë ngritjen e barrierave” janë duke tradhtuar ëndrrën e themeluesve të Europës moderne”.
“Unë vazhdoj të ëndërroj për një Europë që kujdeset për fëmijët, që ofron ndihmë vëllazërore ndaj të varfërve dhe të sapoardhurve që kërkojnë veçse të pranohen, për shkak se kanë humbur gjithçka dhe u nevojitet një strehë. Ëndërroj për një Europë ku, të qenit një emigrant nuk do të përbënte një krim”, tha ai.
Duke iu referuar Papës, presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz tha se kriza e emigrantëve përfaqëson “një sfidë përcaktuese për Europën”. Ndërkohë, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker theksoi se Papa, i cili ka bërë apelime të shumta për trajtimin më të mirë të refugjatëve, u rikthye nga ishulli grek i Lesbosit muajin e kaluar me 12 refugjatë sirianë.
“Ku ai merr 12 refugjatë – në përpjestim me popullsinë e Vatikanit, kjo është një ndihmë shumë herë më e madhe sesa e çdo vendi tjetër anëtar të BE-së – ndaj dhe na mbush zemrat me më shumë kurajo”, deklaroi Juncker. javanews/ a.k