Xhoana Hila dhe Erando Qatipi kanë akuzuar njëri-tjetrin në gjykatë për vrasjen e 82-vjeçares Angje Hila, në 25 shkurtin e vitit të kaluar në Shkodër.
Xhoana ka pranuar se ka hyrë në shtëpinë e gjyshes së saj për të vjedhur bizhuteri e sende me vlerë, por deklaroi se nuk është ajo autorja e vrasjes së Angje Hilës, por ish-i dashuri i saj, Erando Qatipi. Ky i fundit, jo vetëm nuk ka pranuar që është autor i vrasjes, por ka mohuar edhe autorësinë e vjedhjes së të moshuarës.
Në seancën gjyqësore, dy të akuzuarit i bashkonte vetëm kërkesa e secilit për llogari personale për gjykim të shkurtuar, për t’iu ulur automatikisht 1/3 e dënimit, shkruan Panorama. Nga ana tjetër, nuk pranuan se janë ata autorët e vrasjes së Angje Hilës.
Ndërkaq, akuza e përfaqësuar nga prokurori Xhevahir Lita, kërkoi të mos pranohej kërkesa e dy të akuzuarve për gjykim të shkurtuar, sepse asnjëri prej tyre nuk pranoi krimin e kryer.
Avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve u munduan që të provojnë se Xhoana dhe Erando nuk janë autorë të vrasjes së të moshuarës, por ndryshe nga pala mbrojtëse, prokuroria dha prova të tjera që janë kontradiktore me deklarimet e autorëve të dyshuar dhe avokatëve të tyre.
“Unë nuk kam qenë fare në shtëpinë e Angje Hilës ditën kur ka ndodhur ngjarja. Unë nuk kam asnjë dijeni për atë vrasje se kush e ka bërë dhe se çfarë ka ndodhur dhe s’kam asnjë lidhje me atë vrasje”, deklaroi Erando. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-të dashurës së tij, Xhoanës, e cila e akuzoi si autor të vrasjes në sallën e gjyqit.
“Ti je fajtori, sepse ti e ka vrarë dhe ti e di. Unë pranoj se kam hyrë në banesën e gjyshes me qëllimin për të vjedhur bizhuteritë dhe sendet me vlerë, por jo për ta vrarë gjyshen time. Ai që e vrau është Erando. Ky është fajtor, sepse pas vjedhjes, e vrau gjyshen”, u përgjigj Xhoana.
Gjyqtarja Luveda Dardha, për shkak të kompleksitetit dhe zhvillimeve në sallën e gjyqit, vendosi që ta shtyjë seancën për më datë 10 të këtij muaji. Sërish djali i Angje Hilës kërkoi që të zbardhet ngjarja dhe të vendoset e drejta në vend dhe dy autorët e vrasjes së nënës së tij të marrin dënimin e merituar. javanews/ a.k