Mesila Doda thotë sesa më shumë protagoniste të jetë gruaja në politikë, aq më tepër vihet në shënjestër.
“Gratë në vendimarrje duhen për të qenë të pranishme, por askush nuk i do si element thelbësor. Problemi më i madh është kur një grua nis e ngre zërin. Këtu kriset e gjithë skema. Kjo ndodh edhe këtu në Shqipëri. Gratë, po arritën në ngrenë zërin vihen në kryq dhe nuk lihet baltë dhe pështymë pa u hedhur”, u shpreh ajo në emisionin Top Story.
Për të ilustruar më mirë këtë, Doda solli përvojën personale, atë kur u përplas me drejtuesit e PD, përplasje që pasoi largimin e saj drejt PDIU-së sot.
“Këta zotërinjtë, para një muaji dolën për të thënë se kryeministri i ka fyer në Parlament. E kanë menduar këta sesa baltë kanë hedhur mbi mua? Gjithë njerëzit e tyre të bodrumit kanë hedhur të gjitha për të sharë dhe 40 fyrje njëra pas tjetrës, njëra më e ndyrë sesa tjetra. Kanë kërkuar ndonjëherë ndjesë ata për një njeri që ishte i tyre dhe ata menduan që e kishin kundërshtar? S’e kanë thënë kurrë. Kjo është mënyra ku gjithsecili duhet të shohë nga vetja”, tha Doda. (javanews.al /a.r)